Last Updated on 03/03/2025 by adminfjala
Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare penale dhe të drejtave të njeriut, Rudina Jasini thotë se vendimet që do të merren në Gjykatën Speciale në Hagë “pa diskutim” do t’i “ngjyrosin veprimtarinë e luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe pavarësisë”.
Ligjëruesja seniore e Universitetit të Oxfordit është pjesë e grupit mbrojtës në çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo tha në “Public Square” të Ditmir Bushatit se në vitin 2017, kur mbante një ligjëratë në Kosovë, ishte shokuar se sa pak dihej “se çfarë po vinte.
“Unë kam mbajtur një ligjëratë në Kosovë në vitin 2017 dhe jam shokuar se sa pak dihej nga juristët e Kosovës, gjyqtarë, prokurorë aty – të Shqipërisë po e po – lidhur me atë se çfarë po vinte. Pra, nuk ishte kuptuar mjaftueshëm që një ndryshim i Kushtetutës dhe krijimi me ligj një institucioni ‘sui generis’ gjyqësor do të ngjyroste, dhe këtë e them me bindje, që vendimet që do të merren, pa diskutim që ngjyrosin veprimtarinë e UÇK-së, sepse kjo çështje përfshin të gjitha zonat operative të UÇK-së, nga fillimi në janar 1998 deri në dhjetor 2000. Pra, ngjyros, si rezultat veprimtarinë e luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe të pavarësisë së Kosovës. Pra, nuk mund të jemi… kërkon më shumë vizion dhe largpamësi, këtë dua të them, dhe që unë e shikoj të munguar në të dyja anët, si në Kosovë, edhe në Shqipëri”, tha ajo.
Jasini tha se Gjykata Speciale tani nuk ka se si të zhbëhet, kur u pyet në lidhje me komentet lidhur me një tërheqje të mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga mbështetja ndaj kësaj gjykate.
“Do të ishte një dëmtim shumë i madh në qoftë se një institucion gjyqësor, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me ekzistencën e tij do të mbyllej dhe s’ka se si të mbyllet me thënë të drejtën, sepse është jo vetëm institucioni, por procesi, individët, është një investim kolosal i ngritur mbi bazën e parimeve shumë të rëndësishme të drejtësisë. Pra, dëmtimi shkon përtej faktit, për arsye se mund të ishin interesa nacionaliste, të brendshme të Kosovës, e të gjitha, por ky është një angazhim ndërkombëtar që e ka marrë Kosova njëherë. Këtë e ka krijuar shteti i Kosovës. Është krijuar me ligj nga Parlamenti i Kosovës. De jure ky është institucion i Kosovës dhe vetëm institucioni ose shteti i Kosovës ka të drejtën të ndërmarri çfarëdolloj hapi që ata e shohin të arsyeshme për ta kufizuar apo jo aktivitetin e kësaj gjykate. S’mundet kurrsesi një shtet i jashtëm. Po flas në parim, do të më dukej absurde të tolerohej një veprim kaq drastik dhe unë do të thoja i pakonceptueshëm, me thënë të drejtën. Dëmtimi do të ishte kolosal”, tha ajo.
Profesoresha e komentoi edhe pozicionin e Shqipërisë në këtë çështje, e cila fillimisht e kishte mbështetur kirjimin e kësaj gjykate, ndërsa më pas kishte ndërmarrë një iniciativë në Këshillin e Europës për rishikimin e mbështetjes ndërkombëtare për të. Ajo iniciativë, sipas Jasinit ishte “shumë e vonuar”.
“Lidhur me iniciativën që ju përmendët, ishte një iniciativë shumë e vonuar në proces. Unë mendoj se Shqipëria mund të kishte qenë shumë më proaktive, jo në ndërhyrjet e drejtpërdrejta të asaj çfarë po ndërmerrte Kosova, por me grupe konsultimesh, me përfshierjen e juristëve shumë të mirë të brendshëm dhe të jashtëm ndërkombëtarë. Të mos harrojmë edhe një gjë, që një pjesë të veprave penale të supozuara përfshijnë një pjesë e territorit të veriut të Shqipërisë. Pra Shqipëria nuk mund të jetë komplet e përjashtuar apo indiferente nga kjo që ka ndodhur. Por mund të ishte ndihmuese. Mund të ishte ndihmuese në një mënyrë më… nga pikëpamja juridiko-ligjore dua të them të kësaj, të konsultimeve, të ngritjes së një zëri më shumë”, tha ajo.
Pasi përmendi paraprakisht gjykatat ndërkombëtare, kur përmendi Specialen tha se “rrallë herë kemi një gjykatë të këtij lloji”.
“Gjykatat Ndërkombëtare ad hoc ose hibride kryesisht janë krijuar ose me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara siç ka qenë rasti i Tribunalit për ish-Jugosllavinë, apo Tribunalit për Ruandën, ose me një marrëveshje midis Kombeve të Bashkuara dhe shtetit përkatës ku kanë ndodhur këto krime, siç është rasti, për shembull i Kamboxhias, ku një gjykatë 35 vjet mbrapa nga krimet e “kmerit” të kuq nës emund të dihet për publikun ose për shembull gjykata, tribunali special për Libanin. Gjykatat rrallë herë, pra qoftë gjykata hibride, apo gjykatat të ndërkombtarizuara, po rrallë herë kemi një gjykatë të një lloji si kjo e ngritur ose e krijuar në Kosovë. Dhe këtu, pa diskutim që, jo vetëm unë, por shumë studiues dhe praktikantë në këtë fushë fillimisht kanë shprehur një skepticizëm shumë të madh për mënyrën se si po krijohej kjo gjykatë. Gjithashtu për aplikimin e ligjit, midis të drejtës zakonore penale, procedurale penale dhe ligjit të Kosovës”, tha ajo.
Jasini tha se “hapësira shumë e madhe” që po u jepet gjyqtarëve të kësaj gjykate, do t’i sjell pasoja “jo vetëm Kosovës”.
“Pra, kjo hapërsirë shumë e madhe që po u jepej këtyre gjyqtarëve – ata po veprojnë tërësisht me bazë të ligjit që u është vënë përpara – mendoj se do të ketë pasoja jo vetëm për Kosovën, por do të ketë pasoja dhe do të jetë një precedent jo shumë i mirë për të drejtën ndërkombëtare penale, por të shikojmë gjithë spektrin e të drejtës penale ndërkombëtare. Ky institucion po zhvillon aktivitetin e tij në një proces prej disa vitesh. Unë nuk mund të flas në detaje mbi çështjet, por mund të them se e shoh të vështirë sesi shtete sovrane në të ardhmen mund të krijojnë institucione apo t’i vendosin shtetasit e tyre në një strukturë apo në një juridiksion të këtij lloji. Mbetet për t’u parë jurisprudenca që kjo gjykatë do të fillojë”, tha ajo.
———————-
Vazhdon numërimi i votave me postë: LVV-ja e para me mbi 52 për qind
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Nga 35.64 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka fituar më së shumi vota, përkatësisht 10.744 apo 52.14 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e dytë me 5.853 vota të fituara apo 28.40 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 7.94 për qind apo 1.637 vota të fituara.
Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e katërt gjendet koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 980 vota apo 4.76 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako, që supozohet se janë me fletëvotime.
Për votimet e 9 shkurtit, përveç votimit me postë, qytetarët janë vendit për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe sipas KQZ-së, LVV mori më së shumti vota, përkatësisht 12.261 vota apo 80.71 për qind.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë do të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja. Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike, në Kosovë fillimisht ka përfunduar numërimi i votave të rregullta. Sipas rezultateve preliminare të votimit të rregullt, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind.
———
E dyshuara për spiunazh dërgohet në Pallatin e Drejtësisë
Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku pritet të fillojë së shpejti seanca dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë, raporton KOHA. Gjukanoviq u arrestua në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin për spiunazh më 28 shkurt.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, u tha nga Prokuroria Speciale./K.K
