Një diplomat i lartë sudanez ka akuzuar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për krime lufte në Darfurin e Veriut, ndërsa të mbijetuarit që u arratisën nga qyteti el-Fasher përshkruan vrasje masive dhe sulme seksuale nga trupat paramilitare.
Ambasadori i Sudanit në Egjipt, Imadeldin Mustafa Adawi, i bëri këto akuza të dielën, 2 nëntor, duke akuzuar edhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për ndihmën ndaj grupit paramilitar në luftën civile në vazhdim, por Emiratet mohuan çdo përfshirje.
Deklaratat e Adawit pasuan ato të kryeministrit sudanez, Kamil Idris, i cili për gazetën zvicerane Blick tha se RSF duhet të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare. Megjithatë, Idris hodhi poshtë idenë e vendosjes së trupave të huaja në vendin e tij në formë të paligjshme.
Këto thirrje për veprim vijnë një javë që prej marrjes së kryeqytetit të Darfurit të Veriut, el-Fasher, nga RSF pas një rrethimi 18-mujor, që sipas raporteve shkaktoi mijëra viktima civile. Ky qytet ishte bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në rajon.
“Qeveria e Sudanit po kërkon nga komuniteti ndërkombëtar veprim të menjëhershëm dhe efektiv, jo vetëm deklarata”, tha Adawi gjatë një konference shtypi në Kajro. Ai i kërkoi shteteve ta shpallin RSF-në “organizatë terroriste”, ta dënojnë për “masakrat në nivel gjenocidi”, si dhe të kundërshtojnë “financuesin dhe mbështetësin rajonal zyrtar, Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Adawi gjithashtu tha se Sudani nuk do të marrë pjesë në bisedimet e udhëhequra nga Egjipti, SHBA-të dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për t’i dhënë fund konfliktit, nëse këto të fundit mbeten pjesë e negociatave.
Vrasje masive dhe sulme seksuale

Emiratet kanë mohuar akuzat për furnizim me armë ndaj RSF-së. Një këshilltar presidencial i Emirateve, në një forum në Manama të Bahreinit, tha se vendi i tij dëshiron të ndihmojë për të ndaluar luftën, dhe pranoi se fuqitë rajonale dhe ndërkombëtare mund të kishin bërë më shumë për të parandaluar konfliktin.
Ndërkohë, banorët që arritën të shpëtojnë nga masakra në el-Fasher rrëfyen tmerrin që kishin përjetuar.
Adam Yahya, i cili u arratis me katër fëmijët e tij, tregoi për Al Jazeera se gruaja e tij u vra nga një sulm me dron i RSF-së pak para masakrës në qytet.
“Rrugët ishin plot me të vdekur. Arritëm tek një barrierë rëre e vendosur nga RSF. Po qëllonin mbi njerëz, burra, gra dhe fëmijë me mitralozë. Dëgjova një prej tyre teksa thoshte: Vritini të gjithë, mos lini gjë të gjallë”, rrëfeu Yahya.

Një grua 45-vjeçare në kampin e të zhvendosurve të Al Dabbah, në Shtetin e Veriut të Sudanit, tha se luftëtarët e RSF e sulmuan seksualisht. Megjiahtë Rasha arriti të shpëtojë dhe iku me vajzat e saj, por nuk di asgjë për fatin e djemve të saj.
Agjencitë humanitare thanë se mijëra njerëz janë ende të zhdukur pas arratisjes nga el-Fasher.
Caroline Bouvard, drejtoreshë e Solidarites International në Sudan, thotë se vetëm disa qindra kanë arritur në Tawila, qyteti më i afërt me el-Fasher.
“Agjencitë po marrin të dhëna vetëm nga zonat përreth, ku besohet se deri në 15 mijë persona janë bllokuar në qytet”, deklaroi Bouvard. Ajo bëri thirrje për ndërhyrje urgjente për të siguruar që ndihmat humanitare të arrijnë tek të bllokuarit ose të dërgohen kamionë për t’i transferuar në Tawila./kb
