Last Updated on 17/06/2026 by Kesjana
Sezoni i musoneve ka nisur tashmë në Indi dhe Tajlandë, por fenomeni klimatik El Ninjo mund ta bëjë atë më të dobët dhe më të paparashikueshëm, duke rritur rreziqet për bujqësinë dhe furnizimin me ujë. Musonet krijohen çdo vit nga diferenca e temperaturës mes tokës dhe detit. Ajri i lagësht nga oqeani lëviz drejt kontinentit, ngrihet në atmosferë dhe sjell reshje të dendura shiu. Këto reshje janë jetike për kultura bujqësore si orizi dhe pambuku. Sipas meteorologëve indianë, reshjet e këtij viti mund të jenë vetëm 90% e mesatares afatgjatë, pjesërisht për shkak të El Ninjos. Ky fenomen, i lidhur me ngrohjen anormale të ujërave sipërfaqësore në Paqësorin ekuatorial, historikisht ka sjellë musone më të dobëta dhe më pak reshje. Megjithatë, studimet tregojnë se gjatë viteve me El Ninjo nuk bie domosdoshmërisht më pak shi në mënyrë të njëtrajtshme. Ndërsa sasia totale e reshjeve mund të ulet, shtohen episodet e shirave ekstremë, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Ekspertët paralajmërojnë se një sezon musonik i paqëndrueshëm krijon pasiguri të madhe për menaxhimin e burimeve ujore dhe prodhimin bujqësor. Të mbjellat mund të zhvillohen mirë në fillim të sezonit dhe më pas të dëmtohen nga thatësira ose të shkatërrohen nga përmbytjet. Për këtë arsye, ndikimi i El Ninjos në musonet e vitit 2026 mbetet një nga sfidat më të mëdha klimatike për rajonin./kb
