Gjykata e Apelit e Romës ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e ndalimit të tre migrantëve në qendrën e pritjes në Gjadër, duke vënë në pikëpyetje edhe legjitimitetin e protokollit të nënshkruar midis Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e emigrantëve.
Mediat italiane shkruajnë se çështja ka të bëjë me tre shtetas marokenë, të cilët kishin marrë më parë urdhër dëbimi nga Italia dhe kishin pasur dënime penale.
Sipas gjykatës, kërkesa për të konfirmuar ndalimin e tre migrantëve nuk mund të miratohej, pasi ekzistojnë dyshime mbi legjitimitetin e protokollit Itali–Shqipëri dhe ligjit pasues që e ratifikon atë.
Megjithatë, gjyqtarët vunë re se nga një shqyrtim i dokumenteve, duke përfshirë urdhrin e dëbimit dhe dokumentet e transmetuara nga Shtabi i Policisë, nuk rezulton se ka pasur një kërkesë të mëparshme për azil dhe se ajo është refuzuar, edhe pse prokurori deklaroi ndryshe në seancën dëgjimore, por nuk ishte në gjendje të dokumentonte pretendimet në çdo rast.
Ata ngritën gjithashtu shqetësime për përputhshmërinë e ndalimit të azilkërkuesve në qendrat shqiptare me direktivat e Bashkimit Evropian, sipas të cilave personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare kanë të drejtë të qëndrojnë në një shtet anëtar derisa të merret një vendim për kërkesën e tyre.
Vendimi i gjykatës shton debatet rreth zbatimit të marrëveshjes Itali–Shqipëri për trajtimin e migrantëve të mbërritur në territorin italian./mxh
