Komisioni Evropian ka miratuar kërkesën e Hungarisë për t’u anëtarësuar në Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO), organi i Bashkimit Evropian që heton mashtrimet dhe korrupsionin lidhur me fondet europiane.
Vendimi i hap rrugën Hungarisë që të bëhet anëtarja e 25-të e EPPO-s më vonë gjatë këtij viti. Institucioni do të ketë të drejtë të hetojë dyshime për keqpërdorim të fondeve të BE-së që nga 1 qershori i vitit 2021, kur kjo strukturë nisi funksionimin.
Kjo do të thotë se hetimet mund të përfshijnë edhe pretendime për korrupsion të lidhura me periudhën e qeverisjes së Viktor Orbanit.
“Ky është një lajm i mirë për Hungarinë. Është një hap i mirëpritur në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo shtoi se qytetarët hungarezë do të kenë tashmë një mekanizëm mbrojtës për të garantuar që fondet europiane të përdoren në interesin e tyre.
Vendimi vjen pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare të prillit nga kryeministri Péter Magyar, i cili zhvilloi fushatë me premtimin për të luftuar korrupsionin dhe përfundoi 16 vite pushtet të Viktor Orbanit.
Qeveria e mëparshme e Orbanit kishte refuzuar anëtarësimin në EPPO, duke argumentuar se kjo do të cenonte sovranitetin e Hungarisë. Ndërkohë, Bashkimi Evropian e kishte akuzuar vazhdimisht qeverinë hungareze për rrezik sistemik të korrupsionit, duke pezulluar një pjesë të konsiderueshme të fondeve të destinuara për vendin.
Hungaria do të duhet të propozojë tre kandidatë për postin e prokurorit kombëtar të EPPO-s dhe të krijojë strukturat e nevojshme institucionale.
Danimarka dhe Irlanda mbeten ende jashtë Prokurorisë Publike Evropiane, për shkak të përjashtimeve të tyre nga disa mekanizma të bashkëpunimit europian në drejtësi dhe çështje të brendshme./mxh
