Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se negociatat për programin bërthamor të Iran do të jenë shumë teknike dhe mund të zgjasin me muaj.
Sipas Rubios, faza e dytë e procesit do të kërkojë që Irani të angazhohet në negociata të detajuara për fatin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, i cili ndodhet në objekte të fshehura thellë në male.
Ai tha se Teherani duhet gjithashtu të pranojë kufizime të rrepta dhe afatgjata, ose edhe ndërprerjen e aktiviteteve të pasurimit të uraniumit brenda vendit.
“Bëhet fjalë për çështje shumë teknike dhe nuk mund të zgjidhen brenda pesë ditësh. Do të nevojitet një ekip ekspertësh që të punojë për 30, 60 apo 90 ditë për të përcaktuar detajet”, tha Rubio para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan.
Ai shtoi se Irani ka pranuar të negociojë disa aspekte të programit të tij bërthamor, por nuk specifikoi se cilat. Rubio theksoi se negociatat nuk garantojnë domosdoshmërisht arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme për Senatin amerikan apo për popullin amerikan.
Sipas tij, para se të nisë kjo fazë, Irani duhet të shpallë se Ngushtica e Hormuzit është i hapur për lundrim, pa tarifa kalimi, të heqë minat detare dhe të ndalojë sulmet ndaj anijeve.
Rubio theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të hapjes së ngushticës dhe se çdo heqje e sanksioneve do të varet nga përmbushja e kushteve të vendosura./mxh
