Last Updated on 01/10/2026 by Klara
Nga Xhovan Shyti
Publikimi i fake news-eve të rrjedhura nga histori të sajuara sipas fantazisë së shfrenuar të shkarrashkruesve, sjell pasoja të rënda, përdhosje të moralitetit e imazhit të kujtdo taksapaguesi të shënjestruar, me të vetmin qëllim shantazhimin dhe përgatitjen e terrenit për përfitime antiligjore.
Nëse dikujt që zotëron një nga mizëria e portaleve anonime, që janë në zhiro brenda territorit të kësaj republikës sonë të bananeve skarco, i shkrepët të të baltos personalitetin mund ta bëj këtë pa asnjë pengesë. Pasi nuk ka asnjë barrierë ligjore që t’ja ndalë hovin revolucionar të bërjes cop e çik të imazhit.
Ekspertët e internetit të shpjegojnë se duke përjashtuar një segment gjurmues të Policisë së Shtetit, nuk ka asnjë institucion tjetër identifikues e kontrollues përgjegjës të portaleve anonime apo fake news-ve, gjë që i trimëron trimat e internetit.
Madje as Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) e as Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nuk ka tagër ligjor kontrolli për të frenuar përdhosjen e imazhit nga fake news-et e anonimëve. Kështu ka qenë në vitet e para të lindjes së rrjeteve sociale, portaleve e të vetëquajturave gazeta on-line dhe, fatkeqësisht, po kështu vijon të jetë. Thënë shkurt asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e kësaj sjelljeje të kthyer në fenomen përdhosës, që bashkëvepron me shantazhin për përfitime financiare.
“Bizneset raportojnë dëme të konsiderueshme nga informacione që i konsiderojnë të pavërteta dhe sulme që, sipas tyre, janë të qëllimshme”, vlerësoi Nikolin Jaka, kryesues i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës, duke dhenë alarmin.
Pasi fenomeni i shantazhimit ndotës të anonimëve nëpërmjet fakeneës-ve, me qëllim përfitimin financiar, e ka zgjeruar diapazonin.
“Nga informacionet që kemi marrë prej bizneseve, kemi dyshime shumë të forta për gjobëvënie”, vijoi Jaka, duke plotësuar:
”Problemi kryesor që ngrem është mungesa e identifikimit të përgjegjësit. Një faqe mund të ketë audiencë masive dhe të publikojë akuza ndaj një sipërmarrjeje, ndërsa biznesi nuk e ka të qartë kush e administron, kush vendos për publikimet dhe kujt duhet t’i drejtohet për dëmin e shkaktuar. Regjistrimi formal duhet kontrolluar rast pas rasti. Por për biznesin, pyetja është shumë konkrete: kush mban përgjegjësi për atë që publikohet?!”
Vërtetë, kush e mban, apo duhet të mbaj përgjegjësinë ligjore? Deri më sot askush. Kjo pasi anonimiteti i administruesve të këtyre portaleve prodhuese të fakenews-eve ndotës të imazhit e personalitetit vijon të sundojë identifikimin institucional. Madje është i pagjurmueshëm.
Ngaqë si AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), si AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive), nuk e kanë objekt të punës së tyre rolin kontrollues-verifikues-identifikues të mediave anonime on-line. Ndonëse AKEP është organ rregullator i pavarur në Republikën e Shqipërisë, që mbikëqyr dhe rregullon tregun e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare. Ndonëse AMA është institucion publik i pavarur në Shqipëri që rregullon dhe mbikëqyr fushën e transmetimeve radiofonike dhe televizive.
Janë përkufizimet zyrtare të veprimtarisë së dy institucioneve më të afërta me botën e medias që nuk përmbajnë në asnjë rresht të kompetenc-detyrave mbikqyerje-identifikimin e tregut prodhues të fakeneës-eve, pra të portaleve e administruesve anonim të tyre. Boshllëk ligjor? Sigurisht që po. Boshllëk ligjor që godet e përdhos moralitetin e imazhin e kujtdo taksapaguesi të shenjëstruar. Boshllëk ligjor me pasoja të renda nga publikimi i fakenews-eve të mbushura me histori të paqena, të sajuara sipas fantazisë së shfrenuar të shkarrashkruesve me të vetmin qëllim shantazhimin dhe përgatitjen e terrenit për përfitime.
“Nga informacionet që kemi marrë prej bizneseve, kemi dyshime shumë të forta për gjobëvënie. Bizneset raportojnë dëme të konsiderueshme nga informacione që i konsiderojnë të pavërteta dhe sulme që, sipas tyre, janë të qëllimshme. Problemi kryesor që ngremë është mungesa e identifikimit të përgjegjësit. Një faqe mund të ketë audiencë masive dhe të publikojë akuza ndaj një sipërmarrjeje, ndërsa biznesi nuk e ka të qartë kush e administron, kush vendos për publikimet dhe kujt duhet t’i drejtohet për dëmin e shkaktuar”, arsyetoi Z. Jaka, në një prononcim për rubrikën “Gjobvenia përmes mediave e portaleve anonime” të çelur nga CNA, duke e mbyllur arsyetimin me konstatim-pyetjen: Regjistrimi formal duhet kontrolluar rast pas rasti.
Por për biznesin, pyetja është shumë konkrete: kush mban përgjegjësi për atë që publikohet, të mbetur ende pa një përgjigje vepruese institucionale.
“Biznesi (por edhe jo bisnesmenët, ndërfutja im Xh.SH.), duhet të ketë një rrugë efektive për të identifikuar përgjegjësin dhe për të kërkuar dëmshpërblim. Një përgënjeshtrim mund të korrigjojë informacionin, por nuk rikthen kontratat apo fitimet e humbura. Kodi Civil shqiptar parashikon përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar në mënyrë të paligjshme dhe me faj, ndërsa neni 640 përfshin humbjen e pësuar dhe fitimin e munguar. Kërkimi i kompensimit kërkon provimin e përgjegjësisë, dëmit dhe lidhjes së tij me publikimin. Por kjo e drejtë vështirësohet që në hapin e parë kur biznesi nuk identifikon dot subjektin përgjegjës. Prandaj transparenca dhe mundësia reale për të kërkuar dëmshpërblim duhet të ecin së bashku. Përgjegjësia civile efektive ka dhe efekt parandalues, duke nxitur më shumë kujdes dhe verifikim përpara publikimit”, arsyetoi Nikolin Jaka, duke shpërfaqur rrugën e gjatë e të stërmundimëshme ligjore që duhet ndjekur për të rifituar moralitetin e imazhin e përdhosur, brenda pak minutave, nga fake news –et e prodhuara prej trimave anonimë të internetit./k.m
