Shteti i Vishisë ishte një qeveri “kukull” në duart e nazistëve, e udhëhequr nga Philippe Pétain, i cili pagoi për bashkëpunimin e tij me Hitlerin me një dënim për tradhti të lartë.
Më 10 korrik 1940, në Francën qendrore dhe jugore u krijua Shteti i Vishisë – një regjim kolaboracionist nën kontrollin gjerman. Kjo periudhë e errët e historisë franceze, e përshkruar në artikullin “Në Francën e Pétain” nga Roberto Festorazzi (arkivat e Focus Storia), mbetet ende një plagë morale që ndan francezët sot, sepse përfaqëson ndjenjën kolektive të fajit për bashkëjetesën me pushtuesin nazist.
Hijet e Francës
Më 22 qershor 1940, pak më shumë se një muaj pas pushtimit gjerman, Franca nënshkroi një armëpushim që e ndau vendin në dy pjesë:
pjesa qendrore dhe veriore, përfshirë Parisin, ra nën pushtim të drejtpërdrejtë gjerman;
ndërsa pjesa jugore, e quajtur “zona e lirë”, mbeti formalisht autonome.
Pikërisht në këtë zonë, më 10 korrik 1940, u themelua shteti kolaboracionist i Vishisë – një përvojë që ende provokon ndarje dhe polemika në kujtesën historike të Francës.
Nga spa-të në ministri
Në korrik të vitit 1940, Republika e Tretë Franceze praktikisht u vetëshkatërrua. Institucionet e saj – përfshirë parlamentin – u shembën nën peshën e disfatës ushtarake dhe morale. Nga kjo rrënoje lindi Shteti i Vishisë, i cili nuk kishte më formë republikane, pasi republika kishte vdekur nën tanket e Hitlerit.
Vishia ishte një qytet i njohur për banjat termale. Të pasurit vinin aty për kurime, por më vonë ajo u zgjodh si qendër e qeverisë sepse kishte shumë hotele luksoze që u shndërruan në zyra shtetërore. Paradhomat dhe banjot e dikurshme të aristokracisë u mbushën me dosje, arkiva dhe nëpunës me kostume gri.
Autoritetet më të larta
Hôtel du Parc u zgjodh si rezidencë zyrtare e kreut të qeverisë: ish-marshalli Philippe Pétain, heroi i Luftës së Parë Botërore, që gëzonte prestigj të madh kombëtar. Më pas ai u shpall “Kreu i Shtetit Francez”. Pétain u bë imazhi i gjallë i Vishisë, ndërsa “forca lëvizëse” e regjimit ishte Pierre Laval – një politikan i vjetër, mjeshtër intrigash politike, që mbajti një rol thelbësor në administratën kolaboracioniste.
Një pushtim i butë
Qeveria e Vishisë lindi nga dëshira për të ruajtur një fije sovraniteti dhe krenarie në një vend të mundur e të poshtëruar. Laval mishëronte shpirtin më pragmatist të regjimit, duke synuar të bënte kompromis me gjermanët për të fituar disa lehtësira për popullsinë. Por këto justifikime do të rrëzoheshin në gjyq, kur Laval u përpoq të bindte gjykatën se kishte vepruar “për të shmangur më të keqen”.
Deportimet
Pavarësisht nga deklaratat e tij, deportimet masive të hebrenjve – madje edhe në zonën “e lirë” – dhe dërgimi i punëtorëve të detyruar në Gjermani nuk u ndalën. Vetëm më 16 korrik 1942, policia franceze arrestoi 13,152 hebrenj në Paris, në ngjarjen e njohur si Vel’ d’Hiv. Në total, rreth 75,721 hebrenj u deportuan nga Franca; prej tyre, 24,000 ishin qytetarë francezë, dhe vetëm 2,564 u kthyen gjallë.
Bashkëpunëtorët nga interesi
Brenda elitës së regjimit Pétain kishte jo vetëm “bashkëpunëtorë nga nevoja”, por edhe nga ata që përqafuan hapur ideologjinë naziste. Politikanë si Marcel Déat dhe Jacques Doriot shkuan deri në mbështetjen e plotë të Rajhut, duke e parë Francën si shtet satelit të Gjermanisë.
Fundi i regjimit
Ngjarjet në Afrikën e Veriut e tronditën seriozisht Vichynë. Pas zbarkimit aleat më 7–8 nëntor 1942 në Marok dhe Algjeri, Gjermania pushtoi edhe “Zonën e Lirë”. Më 27 nëntor, për të shmangur që flota franceze të binte në duart e nazistëve, komandantët francezë e fundosën atë në portin e Toulonit — akt simbolik që tregoi fundin e çdo autonomie politike të Pétain.
Një rikthim në traditë
Vishia përfaqësonte përpjekjen për të instaluar një regjim me frymë fashiste në Francë, të bazuar mbi “Revolucionin Kombëtar” – një program ideologjik që bënte thirrje për kthim në traditë, familje dhe rend moral. Motoja zyrtare u bë “Zot – Vend – Familje”, që zëvendësoi parullën republikane “Liri – Barazi – Vëllazëri”.
Qeveria ndërmori fushata kundër “degjenerimit moral”: ndaloi pijet alkoolike të forta, kufizoi jetën e natës dhe rivendosi arsimin fetar katolik në shkollat publike. Kisha, në përgjithësi, fitoi ndikim të madh dhe mbështeti Pétainin – diçka që më vonë do ta vinte Kishën franceze në përballje me de Gaullen dhe Vatikanin, për shkak të klerikëve kolaboracionistë.
Faji dhe trashëgimia
Është e vështirë të jepet një gjykim i vetëm mbi Shtetin e Vishisë. Brenda tij kishte njerëz që besonin se po shpëtonin Francën, dhe të tjerë që u dorëzuan ndaj pushtetit dhe urrejtjes. Revista antisemite Je suis partout publikonte emra të hebrenjve të fshehur, duke i denoncuar për arrestim.
Në atë Francë të errët – ku denoncimi u bë pjesë e përditshme e jetës – lindi një ndjenjë faji kolektiv që ende rëndon mbi kujtesën franceze. Për katër vjet, Vichia u bë simboli i turpit dhe i bashkëpunimit me të keqen.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
