FBI ka publikuar pamje të reja që tregojnë një person të maskuar dhe të armatosur, në kuadër të hetimeve për zhdukjen e Nancy Guthrie, nënës 84-vjeçare të prezantueses së njohur amerikane Savannah Guthrie.
Nancy Guthrie u zhduk gjatë natës nga banesa e saj në Tucson, Arizona, më 31 janar. Autoritetet besojnë se ajo është marrë kundër vullnetit të saj.
Në një deklaratë në platformën X, drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se pamjet e publikuara tregojnë një individ të armatosur që duket se ka ndërhyrë në kamerën e derës së përparme të shtëpisë, në mëngjesin e ditës së zhdukjes. Sipas tij, imazhet u rikuperuan pas përpjekjeve për të nxjerrë të dhëna nga sistemi i kamerave të sigurisë, të cilat më parë kishin qenë të paarritshme.
Të hënën, Savannah Guthrie bëri një apel të ri publik, duke thënë se familja beson se nëna e tyre është ende gjallë. “Ne besojmë se nëna jonë është ende diku atje. Kemi nevojë për ndihmën tuaj”, u shpreh ajo në një video në Instagram.
FBI ka shpallur një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Ndërkohë, policia ka konfirmuar se në verandën e banesës u gjet gjak që i përkiste Nancy Guthrie, si dhe se kamera e ziles së derës dhe pajisjet elektronike të saj u shkëputën nga sistemi gjatë natës së zhdukjes.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu një e-mail me kërkesë për shpërblim, i dërguar mediave amerikane, ndërsa ende nuk janë identifikuar të dyshuar apo mjete të lidhura me rastin./mxh
