Marine Le Pen po shfrytëzon zemërimin rural për marrëveshjen Mercosur. Politikanët francezë, të të gjitha ngjyrimeve, janë tepër frikacakë për të mbrojtur një marrëveshje të mirë.
Paul Taylor
Edhe një herë, fermerët francezë kanë bllokuar autostradat me traktorët e tyre në shenjë proteste, këtë herë kundër një marrëveshjeje tregtare të pritshme të BE-së me një grup vendesh të Amerikës së Jugut, të bashkuara në një treg të përbashkët të njohur si Mercosur, negociatat e së cilës kanë zgjatur 25 vjet.
Tragjedia qëndron në faktin se, ndërsa BE-ja më në fund mund të pretendojë një fitore të rëndësishme në strategjinë e saj për të lidhur marrëveshje tregtare të bazuara në rregulla me rajone dhe vende kyçe në mbarë botën, për të kundërshtuar proteksionizmin agresiv tregtar të SHBA-së, ajo po ndihmon njëkohësisht të djathtën ekstreme euroskeptike drejt fitores elektorale në Francë. Humbja e mbështetjes së Francës, një anëtare themeluese, për integrimin evropian në rast se e djathta ekstreme vjen në pushtet, do të kishte një ndikim shumë më dëmtues në stabilitetin afatgjatë të BE-së sesa çdo përfitim tregtar me Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain.
Ky ngërç nuk është faji i “burokratëve të Brukselit” – objektivi i lehtë për të gjitha pakënaqësitë në mbarë Evropën. Komisioni Evropian është përpjekur maksimalisht të hartojë klauzola mbrojtëse dhe mekanizma emergjentë në rast të një rritjeje të papritur të importeve ushqimore. Ai ka përshpejtuar shpenzimet e planifikuara bujqësore për të qetësuar vende bujqësore si Franca, Polonia, Irlanda dhe Italia. Fermerët kanë frikë se mishi i lirë i viçit nga Amerika e Jugut, i prodhuar jashtë standardeve strikte të BE-së, do të vërshojë tregjet e tyre.
Përgjegjësia kryesore bie mbi frikacakërinë kolektive të udhëheqësve politikë francezë, duke filluar nga presidenti Emmanuel Macron. Macron votoi kundër marrëveshjes Mercosur, pavarësisht se kishte siguruar masa mbrojtëse në rast se tregjet evropiane do të përmbyteshin nga biftekët e Pampasit. Ai dhe politikanët francezë në të gjithë spektrin politik preferojnë të përkëdhelin lobin bujqësor, i cili përfaqëson më pak se 4% të PBB-së dhe 2.5% të fuqisë punëtore, sesa t’u thonë votuesve të vërtetën: se kriza e blegtorëve nuk ka të bëjë me Mercosur-in dhe se sektorë të tjerë, përfshirë prodhuesit e verës dhe djathit, si edhe industri të tjera, kanë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Macron u zgjodh në vitin 2017 si një reformator liberal pro-evropian, i vendosur ta bënte Francën më tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj, të forconte sektorin e teknologjisë dhe të modernizonte sistemet bujare të mirëqenies dhe pensioneve për t’i bërë ato të qëndrueshme. Sot, si një president pa shumicë parlamentare, ai ka zgjedhur të qetësojë fermerët francezë për t’i larguar nga rrugët, në vend që të qëndrojë besnik ndaj bindjeve të tij evropiane.
Dorëzimi i Macron-it përballë prodhuesve të viçit legjitimon pretendimet e tyre se marrëveshja Mercosur do ta shkatërrojë bujqësinë franceze. Kjo është një absurditet. Të njëjtën gjë ata thanë edhe për marrëveshjen tregtare BE–Kanada, të njohur si Ceta, disa vite më parë, megjithatë eksportet franceze drejt Kanadasë (përfshirë verën dhe djathin) kanë lulëzuar dhe nuk ka pasur vërshim të mishit të viçit të ushqyer me hormone. E vërteta e pakëndshme është se fermerët francezë të blegtorisë po vuajnë kryesisht sepse kostot e tyre janë rritur më shpejt sesa çmimet që marrin nga zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve që dominojnë tregun e mishit, dhe sepse po mbyten nga burokracia rregullatore.
Macron u vu në qoshe nga kalendari politik. Ai po përpiqet të shmangë rrëzimin e qeverisë së tij minoritare jashtëzakonisht të dobët nga një mocion mosbesimi në parlament. Sébastien Lecornu, kryeministri i tij i pestë në dy vite të trazuara, po lufton për të miratuar një buxhet në një parlament të përfshirë nga rebelimi, në prag të zgjedhjeve komunale në mars dhe zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm. Kalendari elektoral po i shtyn partitë të kundërshtojnë presidentin jopopullor dhe të refuzojnë marrjen e përgjegjësisë për shkurtime të dhimbshme shpenzimesh, të nevojshme për të ulur deficitin e fryrë.
“Brukseli” është një kokë turku i përshtatshëm për të shmangur fajin për traktorët që bllokojnë rrugët dhe për shoferët e tyre që pozojnë përpara Harkut të Triumfit dhe Kullës Eifel. Por ndikimi në opinionin publik francez është legjitimimi i narrativës së së djathtës ekstreme dhe së majtës radikale se BE-ja është fajtore për problemet ekonomike të Francës dhe rënien e ndikimit të saj. Sondazhet tregojnë se revolta bujqësore gëzon pothuajse 80% mbështetje publike. Një sindikatë bujqësore e djathtë, Coordination Rurale, e cila është rritur duke u bërë sindikata e dytë më e madhe bujqësore në Francë dhe që është e afërt me të djathtën ekstreme të Tubimit Kombëtar (RN) në armiqësinë e saj ndaj politikave bujqësore të BE-së dhe rregulloreve mjedisore, ka udhëhequr lëvizjen anti-Mercosur. RN po fiton terren mes votuesve ruralë që tradicionalisht votonin për gaullistët konservatorë.
Macron duket i dobët dhe joefektiv në skenën evropiane sepse nuk arriti të mobilizojë një pakicë bllokuese për të penguar miratimin e marrëveshjes Mercosur me votë shumice. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritej ta nënshkruante marrëveshjen në Paraguai të shtunën. Franca po shtyn që Parlamenti Evropian ta dërgojë marrëveshjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për shqyrtim ligjor ose ta rrëzojë atë kur të vijë për ratifikim në javët e ardhshme. Asnjëra prej këtyre manovrave nuk duket se ka gjasa të ketë sukses.
Ndikimi më i thellë i dështimit të udhëheqësve politikë francezë për të mbrojtur përfitimet ekonomike të marrëveshjes Mercosur, dhe të marrëveshjeve të tregtisë së lirë në përgjithësi, është forcimi i frikës publike se Evropa po e injoron dhe po e nënvlerëson Francën. Kjo i shërben temave elektorale të RN-së për rimarrjen e pushtetit nga Brukseli dhe uljen e kontributit financiar të Francës në BE.
Ndërsa udhëheqësja e RN-së, Marine Le Pen, ka hequr dorë nga politikat e saj të mëparshme për dalje nga eurozona ose nga BE-ja – të cilat rezultuan humbëse pasi votuesit francezë panë dëmin e shkaktuar nga Brexit – një formë më pak radikale e euroskepticizmit mund ta ndihmojë të çojë protezhen e saj të ri dhe popullor, Jordan Bardella, në Pallatin Élysée vitin e ardhshëm. Kjo do ta vendoste Parisin në një kurs përplasjeje me BE-në dhe me Gjermaninë, të cilat Bardella dhe udhëheqësi i së majtës radikale Jean-Luc Mélenchon i paraqesin si forca e keqe pas shtytjes së Brukselit për tregti të lirë.
Paul Taylor është studiues i lartë vizitor në Qendrën Evropiane të Politikave/ Përgatiti për botim L.Veizi
