Gazetari Filip Çakuli, i ftuar në Top Story, ka folur për problematikën e pronave në Shqipëri dhe përplasjen në Palas. Ai tha se 36 vite Shqipëria nuk ka një hartë kadastrale unike dhe kjo është paradoksale.
“Kjo historia e pronave në Shqipëri, 36 vjet pa pasur një hartë kadastrale unike, kjo është paradoksale. Se mirë pronat në kohë të komunizmit u sekuestruan, por ne vazhdojmë akoma me mendësinë komuniste kur themi ish-pronarët. Ata janë pronarë, ke dëgjuar ish-pronarët? Ne u themi pronarëve të ligjshëm ish-pronarë.
Dhe tani del tjetri, vritet për një gardh. Të tjerë, dy veta vriten për 2 metra tokë edhe s’i zë as toka për t’i varrosur, se 2 metra janë ato. Të tjerët, del njëri jam pronar se e kam nga gjyshi. Një tjetër del se e kam nga kthimi i pronave. Një tjetër thotë e kam nga legalizimet. Një i katërti thotë se e kam blerë dhe i pesti thotë e kam me vendim gjykate. Hajde ta zgjidhësh ti këtë lloj.
Shteti duhet të pyesë në radhë të parë, i kujt është prona? Më përpara, e kujt është prona? Se mirë dakord, e mori kryeministri, do ta shpronësojë, tha, kë të shpronësojë? Një pjesë është shtetërore, se pjesa më e madhe e asaj të Deltës, që e ka blerë sipas rregullave, Delta sa më del mua me informacionet është shtetërore, domethënë shumë më e madhe ajo, investimi strategjik që përmbledh këtë investimin.
Por këtu ndodh që qeveria jep një zgjidhje madhështore. Në fakt duhet thënë, po ta perifrazojmë me Erasmusin e Rotterdamit, do themi madhështia e marrëzisë. Thotë do ta bëj ullishte, po dale, mirë, para se të mbjellësh ullinjtë, e kujt është prona? Kush gaboi në Kadastër para se të zierësh dhe vajin e ullirit? Kush ka firmosur në Kadastër për këtë pronë? Dhe nuk më duket se është në qendër të vëmendjes, ajo që është Kadastra e para dhe qeveria e dyta“, u shpreh Çakuli në Top Story./ad
