Filmi muzikor biografik për Michael Jackson ka pushtuar arkën globale, duke shënuar hapjen më të suksesshme ndonjëherë për një film të këtij zhanri.
Filmi “Michael”, ku rolin e këngëtarit legjendar e interpreton nipi i tij Jaafar Jackson, ka gjeneruar rreth 217 milionë dollarë në mbarë botën që prej premierës së tij. Ky sukses tejkalon rekordin e mëparshëm të mbajtur nga “Bohemian Rhapsody”, ku Rami Malek interpretoi Freddie Mercury.
Për më tepër, filmi ka kaluar edhe fitimet e “Oppenheimer”, duke u bërë hapja më e madhe globale për një film biografik të çdo lloji.
Sipas drejtuesve të studios Lionsgate, suksesi i filmit reflekton interesin e gjerë të publikut në të gjitha grupmoshat, ndërsa audienca e ka pritur jashtëzakonisht mirë.
Megjithatë, kritika ka qenë më e rezervuar. Platforma Rotten Tomatoes tregon një diferencë të madhe mes vlerësimeve të kritikëve, që e kanë notuar filmin me 38%, dhe publikut, që i ka dhënë 97%. Disa kritikë e kanë cilësuar filmin si një version të “pastruar” të jetës dhe karrierës së artistit.
Filmi është financuar nga trashëgimia e këngëtarit dhe përfshin zërin origjinal të tij në performancat muzikore. Megjithatë, ai nuk trajton akuzat për abuzim seksual ndaj fëmijëve që u ngritën ndaj Michael Jackson ndër vite. Artisti i ka mohuar gjithmonë këto akuza dhe u shpall i pafajshëm në një gjyq të vitit 2005.
Fillimisht, realizuesit kishin planifikuar të përfshinin referenca për disa nga këto akuza, përfshirë rastin e viteve ’90 me Jordan Chandler, por këto skena u hoqën pas zbulimit të një marrëveshjeje konfidenciale që ndalon përmendjen e tij në projekte filmike.
Pas rixhirimeve, filmi përfundon në vitin 1988, përpara se të lindnin këto polemika, duke u fokusuar kryesisht në kulmin e karrierës artistike të ikonës së muzikës pop./mxh
