Financial Times thekson se Ukraina është e gatshme të tërhiqet nga kërkesa e saj për anëtarësim në NATO, me kusht që t’i jepen garanci të forta sigurie nga SHBA-ja dhe Evropa.
Rusia pretendon të gjithë Donbasin, pra rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, megjithëse nuk i kontrollon plotësisht.
«Po flasim për garanci dypalëshe sigurie mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara — konkretisht, garanci të tipit Neni 5 (i NATO-s), si dhe garanci sigurie për ne nga partnerët tanë evropianë dhe nga vende të tjera, si Kanadaja, Japonia dhe të tjerë», theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për gazetarët gjatë një bisede në grup në WhatsApp.
Politico nënvizon se Ukraina dhe liderët evropianë po punojnë mbi një plan paqeje me 20 pika, të hartuar nga SHBA-ja, i cili përfshin edhe lëshime territoriale ndaj Rusisë.
Zelensky deklaroi se nuk ka marrë përgjigje nga Shtëpia e Bardhë lidhur me rishikimet e propozuara të planit.
Komentet e presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur zyrtarë të Gjermanisë, Britanisë dhe Francës po diskutojnë, sipas raportimeve, propozimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, në prag të takimit të së hënës ku do të marrin pjesë liderët e këtyre vendeve.
I dërguari amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Donald Trump kanë mbërritur në Gjermani dhe pritet të takohen me Zelenskyn dhe liderë të tjerë evropianë.
Presidenti ukrainas, në një postim nga Berlini, publikoi fotografi nga përgatitjet e delegacionit të vendit të tij dhe shkroi:
«Po përgatitemi për një takim me palën amerikane. Ka shumë detaje të rëndësishme dhe po punojmë me kujdes në çdo pikë të çdo plani. Thelbësore është që të gjitha masat për të cilat biem dakord me partnerët tanë të funksionojnë në praktikë, në mënyrë që të garantojnë sigurinë. Vetëm garancitë e besueshme mund të sjellin paqen. Ne mbështetemi te partnerët tanë që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive».
The Moscow Times, duke komentuar deklaratat e fundit të Zelenskyt, vë në dukje se presidenti ukrainas do t’i kërkojë palës amerikane të pranojë që vijat e frontit të “ngrihen” në pozicionin aktual.
Kujtohet se Rusia pretendon të gjithë Donbasin, pra rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, megjithëse nuk i kontrollon plotësisht.
SHBA-ja po e ushtron presion mbi Zelenskyn që të tërhiqet në këtë çështje.
«Opsioni më i drejtë është të ‘qëndrojmë aty ku jemi’. Kjo vlen sepse bëhet fjalë për armëpushim… E di që Rusia nuk e sheh pozitivisht këtë dhe do të doja që amerikanët të na mbështesnin në këtë çështje», deklaroi Zelensky për gazetarët pak para mbërritjes së tij në Berlin.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW), në përditësimin e tij më të fundit mbi situatën në terren, thekson se: «Forcat ukrainase vazhdojnë të avancojnë brenda dhe përreth Kupianskut».
Presidenti ukrainas ndodhej në Kupiansk më 12 dhjetor, për të dërguar mesazhin se Ukraina ka kaluar në kundërofensivë në këtë zonë. m.p.
