Pamje të publikuara nga dëshmitarë okularë këtë të diel tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen mbi rafinerinë e naftës Bapco Oil Refinery në Sitra Island.
Sipas konfirmimeve zyrtare, kompania Bapco Energies bëri të ditur se një incident i ndodhur gjatë ditës së diel shkaktoi zjarr në një nga depot e saj të magazinimit. Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Bahreinit deklaroi se zjarri ishte pasojë e një sulmi iranian.
Autoritetet njoftojnë se flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa po vijon vlerësimi i dëmeve materiale në objekt.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa konflikti i nisur më 28 shkurt, pas sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, ka shkaktuar përshkallëzim të gjerë ushtarak.
Që prej asaj kohe, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe vendeve të Gjirit, duke zgjeruar përmasat e konfliktit edhe në fronte të tjera, përfshirë Libanin.
Bilanci i viktimave në Lindjen e Mesme vijon të rritet, ndërsa situata mbetet tejet e tensionuar dhe me pasoja të rënda për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë./mxh
