Dokumentari i vlerësuar i Netflix për vrasjen e një gruaje me ngjyrë në Florida
nga Lucia Magi
“Jam në shtëpinë time, nuk po shqetësoj askënd: jam fqinji perfekt.”
Kështu e përshkruan veten Susan Lorincz, një grua e bardhë 58-vjeçare, gjatë një telefonate në 911, duke u ankuar për fëmijët e fqinjëve që bëjnë rrëmujë jashtë dritares së saj. Është qershori i vitit 2023, në një lagje banesash publike në Ocala, Florida, në një rrugë pa dalje që të çon në një lëndinë. Lorincz jeton e vetme në një apartament me pamje nga një kopsht dhe po kërkon ndihmën e policisë për të disatën herë. Debatet, ngacmimet dhe grindjet me fqinjët e saj – kryesisht me ngjyrë – kanë vazhduar prej dy vitesh.
Në një Amerikë të armatosur dhe të ndarë nga racizmi, ku “vetëmbrojtja” është një koncept i turbullt dhe i debatueshëm, çdo gjë mund të përshkallëzohet lehtësisht në tragjedi.
Regjisorja Geeta Gandbhir e rikthen këtë histori në një nga dokumentarët më të vlerësuar të sezonit, “The Perfect Neighbor”. I vlerësuar në Sundance, filmi – tashmë i disponueshëm në Netflix – tregon se si Lorincz vrau fqinjën e saj Ajike Owens, një nënë 34-vjeçare afrikano-amerikane me katër fëmijë, duke e qëlluar përmes derës së mbyllur të shtëpisë së vet.
Për muaj të tërë para vrasjes, Lorincz kishte telefonuar vazhdimisht policinë për incidente të vogla, duke i akuzuar fëmijët e fqinjëve se luanin në oborrin e saj, duke i ofenduar me fyerje raciste dhe duke shfaqur sjellje agresive – derisa një ditë konfiskoi iPad-in e djalit 10-vjeçar të Owens. Nëna dhe fëmija shkuan të trokisnin në derën e saj për ta marrë mbrapsht. Në vend që ta hapte derën, Lorincz e qëlloi dhe e vrau Owens-in, në prani të djalit të saj të vogël.
Forca e dokumentarit qëndron në mungesën e retorikës: asnjë rindërtim, asnjë intervistë e filmuar në një studio me ndriçim perfekt. Ajo që flet vetë janë imazhet nga kamerat e trupit të oficerëve, pamjet nga makinat e patrullës, videot e mbikëqyrjes dhe audioja e thirrjeve në 911, numrin e emergjencës në SHBA.
“Avokatët e Owens e morën këtë material përmes Aktit të Lirisë së Informacionit,” shpjegoi Gandbhir në një konferencë për shtyp. “Ne morëm gati 30 orë regjistrime – intervista me komunitetin, marrjen në pyetje të Lorincz në komisariat dhe thirrjet tmerruese pas të shtënave. Fillimisht menduam t’i përdornim ato për të ndihmuar familjen në gjykatë dhe në media. Por shpejt e kuptova se aty kishte një histori shumë më të madhe. Kishte nevojë për një film,” – tha regjisorja, fituese dy herë e çmimit Emmy për montazhin e dokumentarëve “When the Levees Broke: A Requiem in Four Acts” dhe “By the People: The Election of Barack Obama.”
“Dokumentari përmbys rrëfimin e zakonshëm të kamerave në trup,” shtoi ajo, “të cilat zakonisht përdoren për të kriminalizuar komunitetet me ngjyrë. Këtu, ato i japin zë viktimës dhe familjes së saj, dhe tregojnë një komunitet të bashkuar e mbështetës – nëna që ndihmojnë njëra-tjetrën dhe fëmijë që ndajnë hapësirën dhe kohën.”
“Fqinji i Përsosur” shërben gjithashtu për të ekspozuar abuzimin e ligjit “Stand Your Ground” (“Qëndro në pozicionin tënd”), ligj që lejon përdorimin e armëve nëse dikush ndihet i kërcënuar. I miratuar nga 38 shtete amerikane, përfshirë Floridën, ai ka çuar në pabarazi të theksuar racore në vendimet gjyqësore: të bardhët kanë shumë më tepër gjasa të lirohen nga akuzat për vetëmbrojtje, sidomos kur viktima është me ngjyrë.
Pavarësisht fyerjeve raciste ndaj fëmijëve të fqinjëve, policisë iu deshën pesë ditë për ta arrestuar Lorincz. Ajo, që gjithmonë ka pretenduar se qëlloi nga frika për sigurinë e saj, u dënua më vonë me 25 vjet burg për vrasje.
“Jetojmë në një kohë kur racizmi, urrejtja dhe ndjenja e superioritetit po mbizotërojnë,” psherëtin Pamela Owens, nëna e Ajike-s, e cila po promovon dokumentarin dhe ka ndihmuar në prodhimin e tij.
“Fqinjët janë struktura jonë shoqërore: duhet të mësojmë të jetojmë së bashku pa u udhëhequr nga paragjykimet apo nga një ndjenjë e rreme e të drejtës.”
