Autoritetet franceze kanë gjobitur me 1 milion euro cisternën “Tagor”, e cila u ndalua dhe u sekuestrua muajin e kaluar për dyshimet se transportonte naftë dhe gaz rus në kundërshtim me sanksionet perëndimore ndaj Moskës.
Ministria franceze e Drejtësisë njoftoi se pas pagesës së gjobës, anija është lejuar të largohet nga ujërat territoriale të Francës.
Më 1 qershor, presidenti francez Emmanuel Macron publikoi pamje që tregonin komandot franceze duke hipur në bordin e cisternës, në kuadër të operacionit të kontrollit.
Sipas vendeve perëndimore, Rusia ka përdorur një rrjet anijesh të vjetra, të njohur si “flota në hije”, për të eksportuar naftë dhe gaz duke shmangur sanksionet e vendosura pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Franca dhe Britania e Madhe janë zotuar të forcojnë kontrollet dhe të pengojnë aktivitetin e këtyre anijeve, si pjesë e strategjisë europiane për të kufizuar të ardhurat e Rusisë që, sipas Perëndimit, përdoren për financimin e luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, Moska e hedh poshtë termin “flotë në hije”, duke këmbëngulur se eksportet e saj të naftës janë të ligjshme. Autoritetet ruse kanë dënuar përpjekjet e vendeve perëndimore për të ndaluar cisternat, duke i cilësuar ato të paligjshme dhe të ngjashme me aktet e piraterisë./mxh
