Last Updated on 26/06/2026 by Kesjana
Franca po përjeton një valë të fortë të të nxehtit që ka vënë pjesën më të madhe të vendit në gatishmëri të lartë, ndërsa autoritetet raportojnë një rritje të ndjeshme të rasteve fatale nga mbytjet në ujë. Sipas qeverisë franceze, numri i viktimave nga mbytjet ka arritur në 55 që nga fillimi i valës së të nxehtit. Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, paralajmëroi se situata mbetet e rëndë dhe se shifrat mund të rriten më tej, pasi shumë njerëz po kërkojnë freski në lumenj, liqene dhe zona të pambikëqyrura.
Më shumë se 51 milionë banorë janë prekur nga temperaturat ekstreme, të cilat kanë shtyrë veçanërisht të rinjtë drejt notit në kushte të rrezikshme, shpesh pa mbikëqyrje dhe jashtë zonave të sigurta.
Ndërkohë, në Paris kanë hyrë në fuqi masa të jashtëzakonshme për të përballuar situatën. Autoritetet kanë ndaluar përkohësisht konsumimin e alkoolit në hapësirat publike, një vendim që do të zgjasë deri të premten. Policia argumenton se alkooli në kushte ekstreme të vapës rrit rrezikun e incidenteve dhe emergjencave shëndetësore.
Kreu i policisë së Parisit, Patrice Faure, theksoi se masa është marrë për të parandaluar pasoja serioze në shëndetin publik, ndërsa shërbimet spitalore ndodhen nën presion të shtuar për shkak të temperaturave të larta.
Situata ka ndikuar gjithashtu në aktivitetet publike dhe kulturore. Autoritetet e rendit kanë kërkuar shtyrjen e Paradës së Krenarisë në Paris, e planifikuar për fundjavën, për shkak të rrezikut që paraqesin temperaturat ekstreme për pjesëmarrësit dhe kapacitetet e emergjencës. E njëjta kërkesë është bërë edhe për disa evente të tjera masive, përfshirë festivale muzikore dhe aktivitete sportive. Valë e të nxehtit po prek jo vetëm Francën, por edhe një pjesë të gjerë të Evropës, ndërsa autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të ekspozimit në orët më të nxehta të ditës./kb
