Dy piktura të vjedhura muajin e kaluar nga muzeu ”Renoir” në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës, janë gjetur, njoftuan sot autoritetet.
“Policia i gjeti të dyja veprat”, raportoi televizioni “BFMTV”, duke cituar burime pranë hetimit.
Më pas, kryebashkiaku Bryan Masson konfirmoi zbulimin për disa medie franceze.
Sipas gazetës “Nice-Matin”, pikturat u gjetën pranë rajonit Provence-Alpes-Cote d’Azur dhe duket se nuk kanë pësuar dëmtime.
Veprat janë “Madame Colonna Romano” dhe “Jeune femme au puits” (“Gruaja e re te pusi”), të piktorit francez të impresionizmit Pierre-Auguste Renoir (1841–1919).
Vlera e tyre e përbashkët vlerësohej nga 8 deri në 10 milionë euro (9 deri në 11 milionë dollarë), raportoi “BFMTV”, duke iu referuar një burimi pranë hetimit.
Më 8 shtator, dy persona të dyshuar për vjedhje hynë me forcë në muze, i cili ndodhet në ish-shtëpinë ku Renoir kaloi vitet e fundit të jetës së tij.
Autorët hynë nga gardhi i kopshtit dhe sharruan mbajtëset e katër pikturave.
Ata arritën të largoheshin me dy prej tyre, ndërsa dy të tjerat i braktisën gjatë arratisjes, pasi mbërritjes së policisë.
Sipas prokurorisë, katër pikturat ishin veprat me vlerën më të lartë në muze.
Gjatë hetimeve, disa persona u arrestuan në departamentet jugore franceze Alpes-Maritimes dhe Hérault, si dhe në departamentin Jura, në lindje të vendit.
Dy prej të arrestuarve dyshohen për përfshirje në grabitje./mxh
