Last Updated on 09/07/2026 by Kesjana
**
Artistja legjendare meksikane Frida Kahlo e kaloi pjesën më të madhe të vitit 1950 e shtrirë në një shtrat spitali në Mexico City, ku po rikuperohej pas një serie operacionesh të ndërlikuara në shtyllën kurrizore. Gjatë kësaj periudhe ajo ishte e detyruar të mbante një korse të rëndë prej allçie që i mbante të palëvizshme pjesën e sipërme të trupit. Një fotografi e realizuar në atë kohë e tregon të mbështetur mbi jastëkë, ndërsa me një pasqyrë të vogël në dorë dhe një penel të hollë zbukuronte vetë korsenë e saj. Thonjtë i kishte të lyer me ngjyrë të errët, flokët të ndarë në mes dhe të mbledhur me kujdes, të stolisur me fjongo sateni dhe lule shumëngjyrëshe. Vathët e gjatë, unazat masive në çdo gisht dhe byzylykët e shumtë plotësonin pamjen e saj karakteristike.
Pavarësisht dhimbjeve të vazhdueshme, Frida nuk e humbi kurrë dëshirën për t’u shprehur. Ajo ishte një grua që nuk fshihej pas vuajtjes, por e kthente atë në pjesë të identitetit të saj. Përmes pikturave dhe paraqitjes së saj, ajo i detyronte njerëzit të shikonin atë që zakonisht shmangnin: dhimbjen fizike, plagët emocionale, humbjen dhe përvojën e gruas.
Frida Kahlo lindi në korrik të vitit 1907 në Coyoacán, një periferi e qetë e Mexico City-t, me emrin Magdalena Carmen Frieda Kahlo y Calderón. Askush nuk mund ta parashikonte se vajza e një familjeje të shtresës së mesme do të bëhej një nga artistet më të njohura në histori, një ikonë botërore e artit dhe e feminizmit, me vepra që sot ekspozohen në muzeumet më prestigjioze të botës. Po aq e papritur ishte edhe historia e saj e dashurisë me muralistin e famshëm Diego Rivera. Ata u martuan në vitin 1929, u divorcuan në vitin 1939 dhe u martuan sërish një vit më vonë, duke mbetur bashkë deri në vdekjen e Fridës në vitin 1954, kur ajo ishte vetëm 47 vjeçe. Marrëdhënia e tyre, e mbushur me pasion, tradhti dhe konflikte, vazhdon edhe sot të jetë një nga historitë më të përfolura në botën e artit.
Babai i saj, Guillermo Kahlo, një fotograf me origjinë gjermane, pati një ndikim vendimtar në formimin e karakterit të Fridës. Nga pesë vajzat e familjes, ajo ishte e preferuara e tij. Inteligjente, energjike dhe plot humor, Frida shpesh bënte shaka dhe sfidonte rregullat. Megjithatë, në moshën gjashtëvjeçare u prek nga poliomieliti dhe për nëntë muaj mbeti e shtrirë në shtrat. Pas shërimit, babai e nxiti të merrej me sport për të rifituar forcën fizike. Ajo luajti futboll, notoi, bëri patinazh dhe madje ushtroi edhe boks, një sport krejt i pazakontë për vajzat e asaj kohe. Megjithëse u bë më e fortë, këmba e djathtë mbeti më e hollë dhe më e dobët. Bashkëmoshatarët e tallnin për këtë, ndërsa babai, për ta ndihmuar të përballonte vetminë, i dha libra dhe i mësoi fotografinë, duke ushqyer talentin e saj artistik.
Në moshën 15-vjeçare, Frida u regjistrua në Shkollën Kombëtare Përgatitore, ku synonte të studionte biologji për t’u bërë mjeke. Ishte një studente e shkëlqyer dhe pjesë e grupit të njohur të studentëve “Cachuchas”. Por më 17 shtator 1925 jeta e saj mori një kthesë dramatike. Teksa po kthehej në shtëpi me autobusin së bashku me të dashurin e saj, Alejandro Gómez Arias, mjeti u godit nga një tramvaj. Një shufër metalike depërtoi në trupin e saj mbi ijën e majtë dhe doli përmes legenit. Shtylla kurrizore dhe legeni iu thyen në disa vende, klavikula u copëtua, ndërsa këmba e djathtë, e dëmtuar më parë nga poliomieliti, u shkatërrua edhe më rëndë. Dëshmitarët kujtonin se britmat e saj dëgjoheshin më fort se sirenat e ambulancës. Rrobat iu shqyen plotësisht dhe trupi i mbuluar me gjak u spërkat me pluhur ari që transportonte rastësisht një pasagjer. Ata që e panë menduan se kishin përballë një balerinë të artë.
Mjekët nuk besonin se Frida do të mbijetonte. Pas një muaji në spital, ajo u kthye në shtëpi, por e prisnin muaj dhe vite të tëra e shtrirë në shtrat. Ëndrra për t’u bërë mjeke mori fund. Familja u përball me vështirësi të mëdha financiare dhe babai u detyrua të hipotekonte shtëpinë për të përballuar shpenzimet mjekësore. Më vonë, mjekët zbuluan se disa prej vertebrave ishin bashkuar gabimisht, çka solli ndërhyrje të tjera kirurgjikale dhe periudha të reja immobilizimi.
Ishte pikërisht në ato vite që lindi artistja Frida Kahlo. “Nuk kisha menduar kurrë të pikturoja deri në vitin 1926, kur isha e shtrirë në shtrat pas aksidentit. U mërzita tmerrësisht dhe vendosa të bëja diçka”, do të shkruante ajo më vonë. Nëna i siguroi një kavalet të posaçëm që mund të përdorej në shtrat, ndërsa mbi të u vendos një pasqyrë. Duke parë çdo ditë fytyrën e saj, Frida nisi të realizonte autoportrete që më vonë do ta bënin një nga artistet më të njohura në botë.
Pasi u rikuperua pjesërisht, ajo vendosi t’ia tregonte punimet e saj muralistit të famshëm Diego Rivera. Legjenda thotë se Frida e ndaloi teksa ai po punonte mbi një skelë dhe i kërkoi t’i thoshte sinqerisht nëse kishte talent. Rivera mbeti i mahnitur nga pikturat e saj dhe shumë shpejt mes tyre lindi një histori dashurie. Ata u martuan në gusht të vitit 1929, pavarësisht kundërshtimeve të familjarëve dhe miqve. Rivera ishte 21 vjet më i madh se Frida, kishte qenë i martuar dy herë dhe njihej për lidhjet e shumta me gra të tjera.
Tradhtitë e tij e plagosën vazhdimisht Fridën. Rivera e pranonte hapur se nuk besonte te monogamia dhe e konsideronte seksin një nevojë të natyrshme. Frida shpërthente në zemërim, thyente pjata, e dëbonte nga dhoma e gjumit dhe, herë pas here, hakmerrej duke krijuar marrëdhënie edhe me gra. Megjithatë, lidhja mes tyre mbeti e pazgjidhshme. Në shumë aspekte, Frida kujdesej për Diegon si për një fëmijë, duke e larë, duke i gatuar dhe duke e vendosur në qendër të jetës së saj.
Edhe pse fillimisht u njoh si “bashkëshortja e Diego Riverës”, Frida ishte e vendosur të ndërtonte emrin e saj. Në vitin 1938, në moshën 31-vjeçare, ajo shiti për herë të parë pikturat e saj artistit dhe koleksionistit Edward G. Robinson. Po atë vit, shkrimtari francez André Breton e cilësoi krijimtarinë e saj si surrealiste, duke e përshkruar si “një fjongo rreth një bombe”. Frida nuk e pranoi kurrë këtë etiketë. “Unë nuk pikturoj ëndrra. Unë pikturoj realitetin tim”, këmbëngulte ajo.
Po atë vit hapi ekspozitën e saj të parë personale në Nju Jork. Aty u njoh me Clare Boothe Luce, e cila i porositi një portret për t’ia dhuruar nënës së Dorothy Hale, një gruaje të re që kishte kryer vetëvrasje. Çdokush do të kishte zgjedhur të realizonte një portret të bukur dhe ngushëllues. Frida bëri të kundërtën. Ajo pikturoi “Vetëvrasjen e Dorothy Hale”, duke paraqitur me realizëm momentin tragjik të vdekjes së saj. Piktura tronditi porositësen, por dëshmoi se Frida nuk ishte e gatshme të sakrifikonte vizionin e saj artistik për të kënaqur askënd.
Frida Kahlo nuk u bë një ikonë vetëm sepse ishte një piktore e jashtëzakonshme. Ajo u bë simbol i guximit për të jetuar sipas rregullave të veta, për të mos fshehur plagët dhe për ta kthyer dhimbjen në art. Pikërisht kjo e bëri një nga figurat më të rëndësishme të shekullit XX dhe një frymëzim që vazhdon të ndikojë miliona njerëz në mbarë botën./ Botuar në media të huaja. Përshtatur në shqip nga FC



