Last Updated on 27/07/2026 by Anisa
Nga Lutfi Dervishi
“Llogje Kavaje” është sinonim i fjalëve boshe, thashethemeve dhe muhabeteve “korr e mos lidh”.
Për vite me radhë, fatkeqësisht, “debati mediatik” konkurroi dhe fitoi me “llogjet e Kavajës”
“Emisionet” u reduktuan në një arenë propagande kundër antipropagandës. Në studio diskutohej 99% opozita dhe 1% qeverisja! “Non grata, sherret e brendshme, vula dhe e shkuara”, – ushqimi i preferuar në menynë e darkës. Aq shumë vend në ekran zunë figurat e opozitës, saqë të krijohej përshtypja se është opozita që po keqqeveris. Ndërkohë, qeveria u mbyll në “kullën e fildishtë” dhe i braktisi “kazanët mediatikë”.
Lajmet e paketuara nga zyrat e PR mbusheshin me inspektime kantierësh, inaugurime të fazës së parë, të segmentit dytë, të etapës tretë,…postime me regji në FB dhe gara se cili ministër mori më shumë like. Argumenti që i vinte vulën debatit për “vulën” ishte gjithmonë i njëjti: “ krahasuar me 2013 ?” ose “nuk ka alternative!”
Por, ndërsa jeta virtuale kalonte nga njëri sukses në tjetrin, jeta reale i bënte hallet kapicë dhe herët a vonë, kapica duhej të rrëzohej.
Protesta e flamingove e ndryshoi boshtin e debatit. Për herë të parë pas shumë kohësh, në qendër të diskursit nuk janë më “llogjet”, por hallet e përditshme.
Sot flitet për mjedisin, pronën publike dhe llogaridhënien; për korrupsionin dhe krimet pa ndeshkim; për çmimet, karburantin, qirate, banesat; për pagat, pensionet e taksat; për “shëndetësinë falas” dhe testin e PISA-s. Me një fjalë, “debati” ka zbritur nga lartësitë hyjnore të propagandës direkt te frigoriferi, portofoli dhe jeta e përditshme e njerëzve.
Janë shpenzuar, qindra mijëra orë emisione për të mbajtur “Kullën e Pizës” që të mos rrëzohej. Tani debati është konkrete, te themelet dhe çatia e shtëpisë.
Ndoshta prandaj po shohim gjithnjë e më shumë ministra e deputetë të shumicës të dalin në ekrane për të mbrojtur “arritjet”. Nuk besoj se dalin ngaqë befas u është zgjuar dëshira për debat.
Ky është ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm që po sjell reagimi i njerëzve. Ajo po u kujton qytetarëve një të vërtetë të thjeshtë: qeveria nuk ka para të vetat. Çdo rrugë, çdo koncesion, çdo tender, çdo koncert dhe çdo shërbim publik financohet vetëm nga paratë e taksapaguesve! Ndaj nuk ka arsye pse të këndojmë këngë për udhëheqësin dhe partinë në çdo segment udhe. Mjafton që kënga dhe tam-tamet të zëvendësohen me një tabelë: “kjo vepër u ndërtua me paratë e taksapaguesve “
Taksat nuk i paguajnë vetëm bizneset e mëdha. I paguan çdo qytetar, sa herë blen bukë, qumësht apo ilaçe përmes TVSH-së (20%). Prandaj pyetja nuk është më nëse po bëhen punë, – pyetja është si po administrohen paratë tona. Dhe ndoshta fushatat e e ardhshme nuk do përqendrohen më te temat e mëdha “BE, NATO,” por kosto e jetesës, përpunimi plehrave apo mjedisi”
Ndoshta ky është vërtet fillimi i fundit i epokës së “llogjeve të Kavajës”. Sepse kur debati prek xhepin, qeverise i rri shumë i ngushtë kostumi i propagandës
