Lihtenshtejni ka ndërmarrë një ndryshim historik në rregullat e trashëgimisë së fronit, duke i dhënë për herë të parë mundësinë edhe grave që të bëhen sunduese të principatës në të ardhmen.
Ndryshimi u bë i ditur gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Lihtenshtejnit dhe parashikon kalimin nga sistemi i trashëgimisë që favorizonte pasardhësit meshkuj.
Sipas rregullit të ri, pasardhësi i parë i një trashëgimtari do të ketë përparësi në fron, pavarësisht nëse është djalë apo vajzë.
Vendimi nuk prek linjën aktuale të trashëgimisë. Princi Hans-Adam II mbetet kreu i shtetit, ndërsa pas tij pritet të vijë djali i tij i madh, Princi i Kurorës Alois, i cili prej vitit 2004 ushtron pjesën më të madhe të detyrave të kreut të shtetit.
Rregulli i ri do të zbatohet për pasardhësit e Aloisit dhe bashkëshortes së tij, Princeshës së Kurorës Sophie.
Kjo do të thotë se, nëse pasardhësi i parë në brezat e ardhshëm është vajzë, ajo do të ketë të njëjtat të drejta për fronin si një djalë i parëlindur.
Sipas AP, ndryshimi synon që në të ardhmen drejtimi i principatës t’i besohet personit më të përgatitur për këtë përgjegjësi, pa u përcaktuar nga gjinia.
Lihtenshtejni, një nga shtetet më të vogla të Evropës, është një monarki kushtetuese ku princi ka kompetenca politike relativisht të gjera krahasuar me shumë monarki të tjera evropiane./mxh
