Mëngjesin e së premtes një anije patrullimi e Rojës Bregdetare arriti që të shpëtonte një shqiptar, skafi i të cilit po fundosej në zonën detare të ishullit “Prasoudi” të Igumenicës .
50-vjeçari shqiptar i identifikuar si Edmond Musa nga Saranda, i njohur ndryshe me nofkën “Çimoni”, u shoqërua në Komisariatin e Igumenicës, ndërkohë që autoritetet u rikthyen sërish në vendin e ngjarjes ku dhe përmes një zhytësi “çmontuan” skafin.
Sipas mediave vendase mësohet se në brendësi të mjetit lundrues u gjetën pesë pako plastike të improvizuara të cilat përmbanin një sasi lënde narkotike, me një peshë totale bruto prej 79.75 kilogramë.
Pas hetimeve, të nesërmen në zonën detare të “Votës” Sagiada, u gjet një tjetër çantë, e cila ishte pjesë e ngarkesës totale dhe përmbante gjashtë pako me kokainë, me një peshë totale bruto prej 56.13 kilogramësh. Sasia totale e drogës që u gjet dhe u sekuestrua arriti në 135.88 kilogramë . Vlera e sasisë së sekuestruar të drogës arrin në 400.000 euro.
Policia greke arrestoi Musën, i cili akuzohet për shkelje të ligjit “për substancat që shkaktojnë varësi”, pasi tentoi të importonte ilegalisht një sasi të madhe droge në Greqi, si dhe për “hyrje të paligjshme në vend” pasi nuk kishte dokumente të ligjshme udhëtimi.
Përveç kësaj, u sekuestruan droga, varka prej poliesteri si mjet transporti dhe një pajisje telefoni celular. Policia greke është duke vijuar me hetimet, ndërkohë mësohet që hetimet po vijojnë edhe në tokën shqiptare nga autoritet në Sarandë.
