Last Updated on 11/08/2026 by EL
Një fermer 60-vjeçar në Gliwice të Polonisë është lënë në paraburgim për tre muaj, pasi me traktorin e tij dëmtoi rreth 200 metra rrugë të saposhtruar me asfalt. Burri hyri me mjetin bujqësor në rrugë dhe, duke përdorur plugun, e çau dhe e përmbysi sipërfaqen e re. Sipas policisë, ai pretendoi se toka ku ndodhej rruga i përkiste atij dhe se punimet ishin të paligjshme, madje paralajmëroi se do ta dëmtonte sërish.
Prokuroria e akuzoi 60-vjeçarin për dëmtim të pasurisë me vlerë të konsiderueshme, vepër për të cilën rrezikon nga 1 deri në 10 vite burg. Gjykata vendosi paraburgimin, duke argumentuar se dënimi i mundshëm është i rëndë dhe se ekziston rreziku që i dyshuari të ndërmarrë veprime për t’iu shmangur përgjegjësisë. Hetuesit thonë se dokumentet zyrtare provojnë se toka dhe rruga janë pronë e bashkisë, ndërsa veprimi i fermerit ishte i planifikuar dhe i qëllimshëm.
Dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë zloty, ose 93 mijë euro. Kryetarja e Gliwice, Katarzyna Kuczyńska-Budka, tha se nuk është dëmtuar vetëm shtresa e asfaltit, por edhe baza e rrugës. Autoriteti Bashkiak i Rrugëve hodhi poshtë pretendimet se rruga ishte pjesërisht pronë private, duke theksuar se ajo i përket tërësisht qytetit. Policia konstatoi gjithashtu se fermeri ishte esëll në momentin e arrestimit dhe se traktori i tij nuk kishte sigurimin e detyrueshëm.
