Vendet e G7 do të zhvillojnë në javët e ardhshme një takim të posaçëm për krizën energjetike, ndërsa ndër masat që pritet të diskutohen është edhe përdorimi i mëtejshëm i rezervave strategjike për të mbështetur furnizimin.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se takimi do të synojë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të G7 dhe partnerëve të tyre, në një kohë kur lufta me Iranin dhe tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ndikojnë tregjet globale të energjisë.
“Do të zhvillojmë një takim të G7 kushtuar këtyre çështjeve energjetike”, tha Macron, duke përmendur si opsione lirime të mundshme nga rezervat strategjike dhe heqjen e disa kufizimeve për të lehtësuar furnizimin.
Sipas Reuters, njoftimi vjen ndërsa vendet e G7 kërkojnë të koordinojnë reagimin ndaj presioneve mbi furnizimin dhe çmimet e energjisë, pas ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Çmimet e naftës mbeten mbi 100 dollarë për fuçi. Të premten, nafta Brent tregtohej rreth 104 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate ishte rreth 102 dollarë, megjithëse të dyja kishin zbritur nga nivelet më të larta të shënuara më herët gjatë javës.
Rezervat strategjike janë përdorur edhe më herët gjatë këtij viti për të zbutur goditjen nga ndërprerjet e furnizimit. Në mars, vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ranë dakord për lirimin e një sasie rekord prej 400 milionë fuçish naftë nga rezervat emergjente, pas ndërprerjeve të furnizimit të lidhura me luftën me Iranin.
Takimi i G7 nuk ka ende një datë të përcaktuar publikisht. Macron tha se ai do të zhvillohet “në javët e ardhshme”.-ad
