Last Updated on 03/06/2026 by Anisa
Partia Socialiste kremtoi në Tiranë 35-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni të veçantë ku u vlerësuan me medalje ari disa prej figurave më të rëndësishme të historisë së saj politike. Në këtë aktivitet u nderuan personalitete që kanë luajtur rol kyç në themelimin, organizimin dhe drejtimin e PS-së gjatë viteve të para të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
Mes të vlerësuarve ishin ish-Presidenti Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, kryetari i parë i Grupit Parlamentar të PS-së Namik Dokle, si dhe ish-drejtues dhe deputetë të njohur socialistë, përfshirë Valentina Leskaj, Anastas Angjeli, Ethem Ruka, Musa Ulqini, Besnik Baraj, Hamdi Jupe, Maqo Lakrori, Luan Shahollari, Halil Lalaj dhe Saemira Pino.
Në fjalën e tij, Rexhep Meidani theksoi se dëshira e tij është që Shqipëria të ndjekë modelet më të avancuara sociale dhe demokratike europiane.
“Uroj që PS ta çojë Shqipërinë drejt modeleve që kemi në vendet nordike, modele që sot përmenden si shembuj të zhvillimit dhe mirëqenies sociale”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ethem Ruka, i vlerësuar për kontributin e tij në themelimin e Partisë Socialiste, kujtoi emocionet dhe sfidat e viteve të para të pluralizmit politik.
“Kjo sallë ka qenë dëshmitare e shumë momenteve historike. Falenderoj socialistët e Tiranës që vlerësojnë ata që në vitet më të vështira ngritën këtë forcë politike progresiste”, tha Ruka.
Namik Dokle, kryetari i parë i Grupit Parlamentar të PS-së, e cilësoi ceremoninë si një mbrëmje simbolike për socialistët shqiptarë, duke kujtuar idealizmin me të cilin nisi rrugëtimin e saj Partia Socialiste.
“Ne nuk kishim shkollë politike, por kishim idealizëm. Thelbi i PS-së mbetet progresi dhe solidariteti, vlera që vazhdojnë ta karakterizojnë këtë forcë politike”, deklaroi Dokle.
Një tjetër figurë e nderuar ishte ish-kryeministri Ylli Bufi, i vlerësuar për rolin e tij në stabilizimin institucional të vendit dhe proceset e para të reformave ekonomike.
“Çdo forcë politike arrin misionin e saj vetëm nëse mbështetet tek përvoja dhe trashëgimia. Sot ndihemi krenarë për rrugën që kemi ndjekur dhe për arritjet e Partisë Socialiste”, u shpreh Bufi.
Me medalje ari u nderua edhe Valentina Leskaj, e cila u vlerësua për kontributin e saj si deputete dhe ish-kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së, si një model i përfaqësimit të grave në politikën shqiptare.
“PS është sot forca më e madhe politike në vend, falë punës së socialistëve dhe mbështetjes së qytetarëve shqiptarë”, tha Leskaj.
Vlerësime të veçanta morën gjithashtu Besnik Baraj për drejtimin e PS-së në Tiranë, Hamdi Jupe si një nga themeluesit e partisë, Anastas Angjeli për kontributin në ekonominë shqiptare, Maqo Lakrori për angazhimin në arsimin e lartë, si dhe Halil Lalaj, Musa Ulqini, Luan Shahollari dhe Saemira Pino për rolin e tyre në forcimin e strukturave dhe vlerave të Partisë Socialiste ndër vite.
Ceremonia u shoqërua me mesazhe mirënjohjeje dhe reflektimi mbi rrugëtimin 35-vjeçar të PS-së, ndërsa shumë prej të vlerësuarve theksuan rëndësinë e solidaritetit, progresit dhe integrimit europian si objektiva kryesore të së ardhmes së Shqipërisë.
Në përmbyllje të aktivitetit, drejtues dhe anëtarë të Partisë Socialiste vlerësuan kontributin e brezit themelues, duke e konsideruar atë një bazë të rëndësishme për zhvillimin dhe transformimin e vendit gjatë dekadave të fundit./a.d
