Ngjarje e rëndë e ndodhur në Skrapar ka ngritur pikëpyetje mbi reagimin institucional dhe koordinimin mes strukturave të policisë vendore por edhe strukturave të specializuara.
Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, Ilir Kurti, 40 vjeç, humbi kontaktet me familjen. Sipas të afërmve, pas disa orësh kërkime të pavarura, ata arritën të gjejnë gjurmë të lëna prej tij në zonën e Blezënckës. Në vendngjarje, rreth 20 metra larg motorrit të tij, u konstatuan një gjysmë shishe vere dhe një cigare e lënë përgjysmë.
Në orën 17:00, familjarët në pamundësi më për të kërkuar, njoftuan Komisariatin e Policisë në Skrapar, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të kërkimeve dhe përforcime në terren. Sipas tyre, ekzistonte dyshimi se 40-vjeçari mund të ishte vetëmbytur, çka kërkonte ndërhyrje të specializuar në ujë.
Megjithatë, sipas pretendimeve të familjarëve, për disa orë me radhë nuk u organizua një operacion i specializuar kërkimi. Ata shprehen se Komisariati i Skraparit nuk ka njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat për të kërkuar përforcime dhe për të koordinuar ndërhyrjen me polumbarë. Kjo e bën më të papërgjegjshme këtë instutucion ligjzbatues duke mos i dhënë asnjë mundësi institucionale gjetjes së trupit të Ilir Kurtit. Kanë qenë vetë familjarët që kanë lajmëruar median dhe kanë ndërhyrë privatisht me kërkesa në disa institucione për të kërkuar një ndërhyerje nga institucionet kompetente, pasi këta të fundit nuk lëvizën as receptorin e telefonit për të lajmëruar Drejtorinë e Policisë Berat.
Vetëm pasditen e sotme, mbi 24 orë pas humbjes së kontakteve, në zonë kanë mbërritur polumbarët për të nisur kërkimet në ujë, ku familjarët dyshojnë se ndodhet trupi i 40-vjeçarit.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime mbi procedurat e ndjekura dhe kohën e reagimit në situata emergjente. Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar të detajuar mbi arsyet e vonesës në aktivizimin e kërkimeve të specializuara.
