Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, pasi organi i akuzës ka kërkuar zgjatjen e hetimeve ndaj tij. Gjyli është shoqëruar nga avokati.
Aktualisht, ish-kreu i Rrugëve është në “Arrest shtëpie” i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Sipas raportimeve, këtë të mërkurë, Gentian Gjylit i është komunikuar zyrtarisht sot zgjatja me tre muaj e hetimeve për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Afati i ri i hetimeve përfundon më 10 tetor
SPAK, në pretencën e dhënë, ka kërkuar 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera (2 episode), si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Gjithashtu, i pandehur në këtë dosje është edhe Erald Elezi, ish-kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”.
Erald Elezi është i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Gjithashtu, SPAK i ka dërguar fletëthirrje edhe ish-zv.kryemistres Belinda Balluku, përmes së cilës i kërkon të paraqitet para oficerëve të BKH-së më datë 31 korrik 2026 pasi do t’i komunikohet zgjatja e afateve të hetimit./ad
