Të dashur nxënës dhe mësues,
Gëzuar ditën e parë të shkollës dhe një vit të mbarë, mes mësimeve, lodhjes, shoqërisë dhe, pse jo, edhe argëtimit!
Por sot do të doja të uroja në veçanti prindërit e nxënësve.
Të dashur prindër!
Pavarësisht se ku punoni dhe sa shumë punoni, gjeni kohën të bashkëpunoni me mësuesit për edukimin dhe mbarëvajtjen e fëmijëve tuaj në shkollë.
Detyra juaj nuk është vetëm t’i ushqeni dhe t’i vishni fëmijët.
Ju që bëni pjesë në shtresën e pasur, bëni kujdes!
Mësojini fëmijët tuaj që, kur prezantohen me shokët në shkollë, të mos ndiejnë nevojën të tregojnë se ku punon babai apo nëna, nëse jeni sipërmarrës të mëdhenj, zyrtarë të lartë apo thjesht të pasur.
Bëni kujdes që fëmija të mos prezantojë adresën e banimit, nëse jeton në një rezidencë, apo se ka një vilë në plazh apo një shtëpi në mal.
Bëni kujdes që emrit dhe mbiemrit të tij, të mos i bashkëngjitet edhe marka e makinës me të cilën e sjell prindi, apo shoferi i familjes në shkollë. Sidomos, nëse gjatë rrugës për në shkollë, ai ka hedhur nga dritarja e makinës kanaçen e pijes që ka pirë për mëngjes.
Mësojini fëmijët tuaj të mos shoqërohen vetëm me ata që u përkasin të njëjtit nivel ekonomik dhe të mos e kthejnë nivelin ekonomik në status social.
Kam dëgjuar se në kolegje private, adoleshëntët e kanë ndërtuar shoqërinë e tyre, duke krijuar grupe që emërtohen sipas rezidencave ku banojnë, vilave me pishina apo pa pishina, me Jacuzzi apo pa Jacuzzi, apo sipas markave të makinve që ka familja.
Nëse u mësoni fëmijëve se paratë, vilat dhe makinat janë gjithçka, do të vijë shpejt dita kur nuk do t’ju mjaftojnë as vilat, as paratë, as makinat, për ta bërë fëmijën tuaj njeri.
Ju, prindër të tjerë!
Ndikoni që fëmijët tuaj të mos ndihen inferiorë pse shkojnë në shkollë me autobus apo me makinën e thjeshtë të familjes, apo me këmbë.
Të mos ndihen inferiorë pse nuk kanë vilë apo shtëpi në rezidencë.
Mësojini se krenaria e një fëmije nuk buron nga fakti se ku punon babai apo nëna, sa para kanë apo çfarë makine ngasin.
Krenaria e tij duhet të vijë nga edukata, puna, dija, sjellja dhe aftësia për të respektuar të tjerët.
Nga fakti se sa përpiqet të jetë një nxënës i mirë.
Nga gatishmëria për të ndihmuar familjen dhe për të punuar, kur është e nevojshme, për të siguruar jetesën.
Sepse shkolla nuk duhet të jetë vendi ku fëmijët mësojnë kush ka më shumë.
Duhet të jetë vendi ku mësojnë kush bëhet më i mirë.
Zonja ministre e Arsimit!
Meqë i keni kushtuar shumë rëndësi komunikimit në shkollë, edhe në ditët e para të këtij viti shkollor, porositini strukturat e arsimit që, krahas pedagogjisë, t’i mëshojnë edhe edukimit.
Mbi të gjitha, ky komunikim duhet t’i shërbejë luftës kundër bullizmit, përfshirë bullizmin dhe diferencimin me bazë ekonomike.
Dhe në fund, mësues dhe prindër:
Këshillojini fëmijët që, nëse kanë mosmarrëveshje apo grindje mes tyre, të kërkojnë ndihmën e punonjësit të sigurisë, psikologut, mësuesve dhe prindërve, dhe të mos përdorin kaçavidat dhe thikat si mjet komunikimi.
