Gigi Hadid ka lënë pas përfundimisht periudhën e flokëve të shkurtër dhe po rikthehet me një pamje të re, që pritet të kthehet në një prej tendencave më të kërkuara të verës.
Modelja ka kaluar vitin e fundit duke i rritur flokët, ndërsa stilisti i saj i besuar, Dimitris Giannetos, i ka dhënë atyre më shumë volum dhe lëvizje përmes një teknike të veçantë shtresëzimi.
Prerja e re quhet “love layers”, ose “shtresat e dashurisë”, pasi fijet priten duke ndjekur formën e një zemre. Shtresat e para fillojnë pak poshtë mjekrës dhe vazhdojnë deri në maja, duke krijuar më shumë volum në pjesën e sipërme dhe një formë më të ngushtë në fund.
Sipas Giannetos, kjo teknikë është një version i përditësuar i prerjes së famshme në formë “C”, e cila kornizon fytyrën dhe sjell ndër mend modelin ikonë të flokëve “Rachel”, të bërë të famshëm nga Jennifer Aniston.
Përveç volumit, shtresat krijojnë edhe iluzionin e një konturimi natyral, duke theksuar tiparet e fytyrës. Pamja funksionon veçanërisht mirë me ndarjen e flokëve në mes, siç e ka stiluar Gigi Hadid.
Për të arritur efektin e madh dhe elastik, stilisti përdori një furçë të rrumbullakët dhe i fiksoi flokët derisa u ftohën, përpara se t’u jepte formën përfundimtare me gishta dhe llak.
Prerja nxjerr në pah edhe nuancat e ndryshme bionde të modeles, duke u dhënë flokëve më shumë thellësi dhe dimension. Një tjetër avantazh është mirëmbajtja e lehtë, pasi flokët mund të stilohen shpejt dhe të duken të rregullt pa shumë përpjekje.
Pas transformimeve të Penélope Cruz dhe Amal Clooney, Gigi Hadid është emri i fundit që përqafon shtresat voluminoze, duke e kthyer këtë model në frymëzimin ideal për një ndryshim veror./mxh
