Dashuria për Selena Gomez e ka shtyrë Benny Blanco të bëjë një udhëtim krejt të pazakontë. Për shkak të frikës së tij nga fluturimet, producenti muzikor vendosi të mos udhëtonte me avion, por të kalonte Oqeanin Atlantik me anije, vetëm që të ishte pranë bashkëshortes së tij në ditëlindjen e saj më 22 korrik.
Blanco ndau me ndjekësit në TikTok momente nga udhëtimi, duke postuar një video ku shkruante me humor: “POV: Po kalon Atlantikun me anije për të parë gruan tënde, sepse ke frikë të fluturosh.” Mbi video ai shtoi edhe frazën: “Gjërat që bëjmë për dashurinë.”
Prej disa javësh, çifti po jeton një marrëdhënie në distancë. Selena ndodhet në Londër, ku është e angazhuar me xhirimet e sezonit të gjashtë të serialit “Only Murders in the Building”, ndërsa Benny ka qëndruar në SHBA.
Mallin për njëri-tjetrin nuk e kanë fshehur as në rrjetet sociale. Selena publikoi një foto romantike me Bennyn në Instagram, të shoqëruar me mesazhin: “Distanca do të thotë shumë pak kur dikush do të thotë kaq shumë. Më mungon, zemër.” Producenti iu përgjigj menjëherë duke shkruar: “Çdo ditë dashurohem edhe më shumë me ty.”
Kjo nuk është hera e parë që Benny Blanco zgjedh anijen për të shmangur avionin. Ai ka treguar se prej vitesh vuan nga frika e fluturimit dhe vetëm në prill arriti të hipte në një avion për herë të parë pas më shumë se tetë vitesh. Gjithashtu, ai ka kujtuar se edhe në një udhëtim të mëparshëm drejt Europës kishte zgjedhur të lundronte me anije së bashku me Ed Sheeran, gjatë kohës kur punonin për albumin “Divide”.
Historia e dashurisë mes Selena Gomez dhe Benny Blanco nisi në vitin 2023 dhe u bë publike në fund të atij viti. Në shtator 2025 ata kurorëzuan lidhjen me martesë dhe sot konsiderohen një nga çiftet më të dashura dhe më të ndjekura të showbiz-it ndërkombëtar./mxh
