Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi të hënën, më 5 janar, se Grenlanda i përket Danimarkës dhe se Aleanca e NATO-s mund të diskutojë forcimin e mbrojtjes së saj, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Deklarata e tij vjen pas kërcënimeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Grenlandës, një çështje që ka shqetësuar aleatët e NATO-s dhe ka marrë një urgjencë të re pas veprimeve të fundit të Uashingtonit në Venezuelë.
Duke folur për gazetarët në Lituani, Wadephul theksoi se Grenlanda është pjesë përbërëse e Danimarkës.
Johann Wadephul, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë:
“Grenlanda i përket Danimarkës. Dhe për sa kohë Danimarka është anëtare e NATO-s, Grenlanda, në parim, duhet të mbrohet nga NATO.”
Ai shtoi se nëse do të ketë nevojë për forcimin e përpjekjeve mbrojtëse në lidhje me Grenlandën, kjo çështje do të diskutohet brenda kornizës së Aleancës Atlantike, pa dhënë më shumë detaje mbi natyrën e këtyre diskutimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë ambicien për të marrë Grenlandën, një ide që e artikuloi për herë të parë në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë./mxh
