Gjermania renditet si një nga destinacionet më pak tërheqëse në botë për të jetuar dhe punuar si emigrant, sipas raportit Expat Insider 2026 të InterNations. Nga 31 vende të analizuara, Gjermania zë vendin e 30-të, duke lënë pas vetëm Norvegjinë, ndërsa vlerësohet negativisht për burokracinë, vështirësinë e integrimit dhe shërbimet publike digjitale.
Raporti, i bazuar në përvojat e mijëra emigrantëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, tregon se Gjermania renditet e fundit në indeksin Expat Essentials, i cili mat lehtësinë e përballimit të procedurave administrative, aksesin në shërbime dixhitale, strehimin dhe jetën e përditshme.
Burokracia mbetet pengesa kryesore
Mbi 61% e emigrantëve deklarojnë se përballja me burokracinë gjermane është e vështirë, krahasuar me mesataren globale prej 39%. Po ashtu, Gjermania renditet e fundit në botë për disponueshmërinë online të shërbimeve administrative, aksesin në internet me shpejtësi të lartë dhe përdorimin e pagesave pa para në dorë. Vetëm 62% e të anketuarve thonë se është e lehtë të paguajnë me karta ose forma të tjera elektronike, kundrejt mesatares globale prej 86%.
Edhe tregu i banesave rezulton një sfidë. Më pak se një në pesë emigrantë e konsideron të përballueshëm çmimin e banesave ose të lehtë gjetjen e tyre.
Integrimi social mbetet një sfidë
Përveç procedurave administrative, raporti evidenton edhe vështirësinë e krijimit të një jete sociale. Gjermania renditet në mesin e vendeve më të dobëta për mirëpritjen dhe integrimin e të huajve.
Vetëm 43% e emigrantëve i konsiderojnë vendasit miqësorë ndaj të huajve, ndërsa 57% shprehen se është e vështirë të krijojnë miqësi me gjermanët. Për më tepër, vendi renditet i 30-ti për ndjesinë e të qenit “në shtëpi” dhe për përshtatjen me kulturën vendase.
Edhe gjuha mbetet një pengesë e rëndësishme. Më shumë se gjysma e emigrantëve (55%) e kishin konsideruar gjuhën gjermane një shqetësim përpara se të shpërnguleshin, ndërsa 62% e cilësojnë të vështirë mësimin e saj.
Puna mbetet pika më e fortë
Megjithëse Gjermania vazhdon të jetë një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës, rezultatet për jetën profesionale janë vetëm mesatare. Vendi renditet i 19-ti për kushtet e punës. Rreth 36% e emigrantëve janë zhvendosur në Gjermani për arsye profesionale, ndërsa orari i punës konsiderohet relativisht i favorshëm.
Megjithatë, këto avantazhe nuk mjaftojnë për të kompensuar problemet e përditshme. Vetëm 60% e emigrantëve deklarojnë se janë të lumtur me jetën e tyre në Gjermani, krahasuar me mesataren globale prej 70%, duke e vendosur vendin ndër tre destinacionet me nivelin më të ulët të kënaqësisë.
Norvegjia mbyll renditjen
Në fund të listës renditet Norvegjia, e cila për herë të parë zë vendin e fundit. Emigrantët ankohen kryesisht për vetminë, vështirësinë në krijimin e marrëdhënieve shoqërore dhe koston shumë të lartë të jetesës.
Në anën tjetër të renditjes, Panamaja kryeson për të tretin vit radhazi si destinacioni më i mirë për emigrantët, e ndjekur nga Meksika dhe Tajlanda, të cilat vlerësohen për mirëpritjen, koston e përballueshme të jetesës dhe cilësinë e jetës.
Sipas raportit, prirja e këtij viti është e qartë: ndërsa Amerika Latine dhe Azia Juglindore dominojnë listën e destinacioneve më tërheqëse për emigrantët, Evropa përfaqësohet nga tetë vende në dhjetëshen e fundit. Për Gjermaninë, sfida nuk lidhet më vetëm me ekonominë, por me aftësinë për të ndërtuar një mjedis ku emigrantët mund të integrohen, të krijojnë lidhje sociale dhe të përballojnë jetën e përditshme.
