Ministria e Mjedisit e landit të Saksonisë së Poshtme, në veriperëndim të Gjermanisë, miratoi sot një projekt të debatueshëm për prodhimin e karburantit bërthamor, që do të realizohet nga kompania franceze ANF, filial i ”Framatome”, në bashkëpunim me gjigantin shtetëror rus ”Rosatom”.
Vendimi ka ngjallur polemika për shkak të përfshirjes së ”Rosatom”-it, në një kohë kur marrëdhëniet me Rusinë mbeten të tensionuara pas pushtimit të Ukrainës.
Nga ana e saj, Ministria federale e Mjedisit e Gjermanisë mbrojti vendimin, duke theksuar se procedurat e autorizimit bazohen vetëm në zbatimin e ligjit.
“Vendimet për kërkesat për autorizim merren në përputhje të plotë me legjislacionin. Kur plotësohen të gjitha kushtet e kërkuara dhe rreziqet e identifikuara mund të kontrollohen në mënyrë të mjaftueshme përmes masave të përshtatshme dhe kushteve të vendosura nga autoritetet, ato janë të detyruara të japin autorizimin”, thuhet në deklaratën e ministrisë federale./mxh
