Gjermania po përgatitet për valën e tretë të të nxehtit të kësaj vere, pasi temperaturat rekord të regjistruara në fund të qershorit shkaktuan mijëra vdekje të lidhura me vapën.
Sipas Shërbimit Meteorologjik gjerman të (DWD), rajonet jugperëndimore të vendit do të goditen më fort, ndërsa të hënën temperaturat pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.
Meteorologu Christian Herold tha se Gjermania ndodhet në skajin lindor të të ashtuquajturës “kupolë e nxehtësisë” që ka përfshirë Evropën Perëndimore ditët e fundit, por fenomeni mund të zgjerohet edhe më tej drejt lindjes në ditët në vijim.
Megjithatë, një erë veriperëndimore vazhdon të sjellë ajër më të freskët nga Atlantiku në veri të Gjermanisë, duke bërë që temperaturat atje të mos arrijnë nivelet ekstreme të valës së të nxehtit të qershorit.
Sipas vlerësimeve të institutit ”Robert Koch”, rreth 5 100 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me temperaturat e larta gjatë valës së nxehtësisë në fund të qershorit. Gjatë asaj periudhe, landi lindor i Brandenburgut regjistroi një rekord kombëtar prej 41,7 gradë Celsius.
Herold theksoi se ende nuk dihet sa do të zgjasë kjo valë e re e të nxehtit, por sqaroi se nuk priten temperatura rekord si ato të fundit të qershorit. Ai shtoi se ajri mbetet relativisht i thatë, çka e bën temperaturën e perceptuar disi më të ulët, ndërsa netët do të jenë më të freskëta, veçanërisht jashtë zonave urbane.
Megjithatë, meteorologu paralajmëroi se nxehtësia e vazhdueshme po përkeqëson thatësirën, sidomos në jugperëndim të vendit.
Toka po thahet gjithnjë e më shumë, nivelet e ujit në shumë lumenj po bien dhe rreziku i zjarreve në pyje është sërish në rritje./mxh
