Një zëdhënës i qeverisë gjermane ka rikonfirmuar angazhimin e Berlinit ndaj aleancës së NATO-s, mes deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump dhe tensioneve në rritje lidhur me situatën në Iran.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi Stefan Kornelius theksoi se NATO mbetet një aleancë mbrojtëse që vepron vetëm në funksion të sigurisë së territorit të vendeve anëtare. Ai bëri thirrje për një debat më objektiv, duke paralajmëruar se retorika e ndezur nuk i shërben stabilitetit të aleancës.
Kornelius shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për rëndësinë e NATO-s dhe se komunikimi mes Berlinit dhe Uashingtonit mbetet i ngushtë, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Iran dhe shqetësimeve për sigurinë.
Sa i përket përdorimit të bazave ushtarake në vendet evropiane, ai theksoi se këto janë vendime sovrane të secilit shtet, si Italia, Spanja apo Franca. Sipas tij, të gjitha marrëveshjet për përdorimin e bazave rregullohen nga traktate dhe vendet anëtare veprojnë në përputhje me to.
Ai nënvizoi gjithashtu se edhe Gjermania ka marrëveshje të tilla me Shtetet e Bashkuara dhe respekton plotësisht detyrimet ligjore që burojnë prej tyre.
Deklaratat vijnë në një kohë kur disa vende evropiane kanë shprehur rezerva ndaj operacioneve ushtarake amerikane. Spanja ka mbyllur hapësirën ajrore dhe ka refuzuar aksesin në baza, Italia ka kundërshtuar një ndalesë në bazën Sigonella, ndërsa Franca ka bllokuar fluturimet mbi territorin e saj për transportin e armëve.
Zhvillimet pasqyrojnë sfidat në rritje brenda aleancës, ndërsa partnerët perëndimorë përballen me një situatë të tensionuar në Lindjen e Mesme./mxh
