Gjermania ka zbehur pritshmëritë për vendosjen e sanksioneve të reja të Bashkimit Evropian ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se çdo kufizim ndaj importeve nga këto vendbanime duhet të miratohet vetëm me unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare.
Sipas Wadephul, prioriteti i Berlinit mbetet dialogu me qeverinë izraelite dhe jo vendosja e masave të reja ndëshkuese.
Qëndrimi i Gjermanisë tregon kundërshtimin e saj ndaj kufizimeve tregtare që janë mbështetur nga vende si Spanja, Belgjika dhe Irlanda, të cilat kërkojnë një përgjigje më të fortë të BE-së ndaj zgjerimit të vendbanimeve izraelite.
Komisioni Evropian kishte përgatitur një sërë alternativash për diskutim nga ministrat e Jashtëm, mes të cilave edhe kufizime ose ndalime të importeve të mallrave të prodhuara në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara.
Megjithatë, pozicioni i Gjermanisë e bën të pamundur që këto propozime të avancojnë me shpejtësi.
Nëse këto masa do të klasifikoheshin zyrtarisht si sanksione të politikës së jashtme, ato do të kërkonin miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Një procedurë e tillë do t’i jepte Gjermanisë dhe vendeve të tjera skeptike mundësinë për t’i bllokuar ato.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, theksoi se ekzistojnë interpretime të ndryshme ligjore për këtë çështje.
Ajo tha se, sipas shërbimit juridik të BE-së, kufizimet tregtare mund të miratohen edhe me shumicë të cilësuar dhe jo domosdoshmërisht me unanimitet.
Një shumicë e tillë do të kërkonte mbështetjen e të paktën 15 prej 27 shteteve anëtare, të cilat duhet të përfaqësojnë së bashku të paktën 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian.
Edhe pse hodhi poshtë idenë e sanksioneve të reja, ministri gjerman përsëriti kritikat ndaj politikës së Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve, duke deklaruar se ajo nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ai shtoi se Gjermania pret që qeveria izraelite të ndërmarrë masa të vendosura kundër kolonëve që ushtrojnë dhunë ndaj palestinezëve.
Wadephul bëri të ditur se këtë mesazh ua kishte përcjellë autoriteteve izraelite gjatë vizitës së tij në Izrael javën e kaluar, duke theksuar se Berlini pret hapa konkretë për të frenuar dhunën dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare./Mxh
