Last Updated on 05/09/2025 by adminfjala
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të zgjatur me 3 muaj të tjerë masën e sigurisë “arrest në burg” për Eria Agon, ish-të dashurën e Safet Bajrit. 31-vjeçarja po hetohet nga SPAK për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Liçit në vitin 2018 në Shkodër, krim për të cilin SPAK akuzon Safet dhe Behar Bajrin, si edhe Astmer Bilalin.
Ago qëndron në paraburgim prej muajit shkurt të këtij viti, si e dyshuar për “përkrahje të autorit të krimit”, shkruan A2 CNN. Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se ajo ka larguar nga Shkodra Astmer Bilalin pas ekzekutimit të Liçit, përmes një mjeti tip “Mercedes”, që është fiksuar nga një kamerë sigurie në qytetin verior.
Në përfundim të afatit 6-mujor të paraburgimit, SPAK ka kërkuar zgjatje në kohë për shkak të mospërfundimit të veprimeve hetimore, kërkesë që ka bindur gjykatën. Sipas vendimit të gjyqtarit të posaçëm Erion Çela, afati i paraburgimit për Agon është shtyrë deri më 26 nëntor 2025.
Gjatë seancës gjyqësore, përmes avokatit Erion Kullolli, Ago ka kërkuar lirim nga qelia. Avokati ka pretenduar se nuk provohet që klientja e tij të ketë qenë në Shkodër ditën e vrasjes së Fatbardh Liçit, e aq më pak të ketë pasur dijeni për ndonjë veprim të paligjshëm të të njohurve të saj. m.p.
