Last Updated on 05/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në Shqipërinë e komunizmit, disa nga librat e Gjy dë Mopasanit cilësoheshin si libra të verdhë – një etiketim që shpesh, dhe gabimisht, nënkuptonte libra të ndaluar apo me përmbajtje të papërshtatshme. Pikërisht për këtë arsye, një libër si Bel Ami më duhej ta kërkoja gjatë, si një thes të çmuar të fshehur nëpër raftet e harruara të librarive. Por kush ishte në të vërtetë Mopasani?
…Në një cep të harlisur të Normandisë, atje ku peizazhi i gjelbër shtrihet përtej vijës së syrit dhe qielli ulëret mbi fshatra të heshtur, lindi më 5 gusht 1850 një nga shkrimtarët më të fuqishëm të ndjeshmërisë realiste: Gjy dë Mopasan. Ai do të sillte në letërsinë evropiane një zë të ftohtë si thikë dhe të kthjellët si xhami i krisur i jetës njerëzore. Mjeshtër i formës së shkurtër, Maupassant-i e bëri tregimin e përmbledhur të tingëllonte si një goditje e qetë me çekan në tru. Me prejardhje normande, i rritur mes natyrës së ashpër dhe atmosferës së zymtë të provincës franceze, ai u ushqye me realitete që, më vonë, do t’i shndërronte në rrëfime therëse. Jetën nuk e pa përmes ëndrrave, por përmes kontrasteve të pamëshirshme: bukuri dhe brutalitet, dëshirë dhe kotësi, ngjitje dhe rënie.
“Miku i bukur”
Dhe kur më në fund e mbajta në duar “Bel Ami”-n, ndjeva sikur po lexoja jo vetëm për rrugët e Parisit, por edhe për rrugicat tona të përditshmërisë. Historia e Zhorzh Duroit – një njeriu të zakonshëm që ngjitet në majë përmes manipulimit, joshjes dhe mashtrimit – më dukej një pasqyrë e turbullt ku secili prej nesh mund të shihte një grimë vetvetjeje. Në çdo rresht kishte diçka të njohur, të ndaluar dhe njëkohësisht të magjishme. Ai më mësoi se njeriu shpesh nuk bie për shkak të dështimeve, por ngjitet përmes rënieve morale. Dhe ky ishte ndoshta “rreziku i vërtetë” që e fshihte censura pas etiketës ‘libra të verdhë’: fuqia për të parë më thellë se morali i kohës.
Mjeshtri i vëzhgimit dhe pesimizmit të qetë
Fati i tij letrar u kthye për mirë kur u njoh me Gustav Flober-in, autorin e Zonjës Bovari, i cili jo vetëm që e pranoi si nxënës shpirtëror, por edhe si mik dhe bashkëbisedues. Në rrethin e ngushtë të Floberit, Mopasan njohu kolosë si Émile Zola, babai i natyralizmit francez, dhe Ivan Turgenjev, mjeshtër i dhimbjes së qetë ruse. Takime që, më shumë se frymëzim, u bënë udhërrëfyes për një stil që ndërthurte kthjelltësinë e një kronike me ndjenjën e zymtë të absurditetit njerëzor.
Mopasan u bë mjeshtër i rrëfimit realist, por me një sy që shihte më thellë se dukja. Ai dinte të dallonte ndjeshmërinë brenda poshtërsisë, tmerrin pas rutinës, të çarat e mëdha në sipërfaqe të qeta. Stili i tij është i lakuriqtë, i ngjeshur, pa stoli të tepërta: një narrativë që të ndjek si hija e së vërtetës.
Veprat më të njohura
“Topi i yndyrës” (Boule de Suif) – një tregim i madhërishëm mbi hipokrizinë shoqërore, i vendosur në kohën e Luftës Franko-Prusiane. Një prostitutë shpëton një grup udhëtarësh borgjezë, të cilët më pas e braktisin me përbuzje.
-“Gjerdani” (La Parure) – një reflektim mbi kotësinë dhe fati tragjik i njerëzve të zakonshëm që mashtrohen nga iluzionet e shkëlqimit.
-“Bel Ami” – një roman që rrëfen ngjitjen e një gazetari mediokër në shoqërinë e lartë përmes mashtrimeve dhe joshjes, një satirë therëse mbi moralin e klasës borgjeze.
-“Pierre dhe Zhan” (Pierre et Jean) – një roman i shkurtër që eksploron xhelozinë vëllazërore dhe dilemën identitare në një ambient të heshtur familjar.
Ai shkroi mbi 300 tregime të shkurtra, që prekin çdo aspekt të jetës franceze të fund-shekullit XIX: nga lufta dhe dashuria, te sëmundjet mendore, dëshpërimi, mashtrimi, sensualiteti dhe vdekja.
Errësira që vinte nga brenda
Në vitet e fundit, Mopasan u përfshi nga një errësirë e thellë mendore. I sëmurë nga sifilizi, një trashëgimi e rinisë së shfrenuar, ai filloi të përjetonte halucinacione, ndjekje imagjinare dhe një frikë të fiksuar nga vdekja. Shkrimet e tij të fundit janë të mbushura me paranojë dhe trishtim ekzistencial.
Më 2 janar 1892, në një moment dëshpërimi të thellë, tentoi vetëvrasje duke prerë fytin me një thikë letre. U shtrua në një sanatorium në Paris, ku jetoi edhe një vit të fundit nën terrin e harresës dhe çmendurisë. Vdiq më 6 korrik 1893, në moshën vetëm 42 vjeç.
Trashëgimia e një shikimi të kthjellët
Gjy dë Mopasan mbetet një nga figurat më të ndritura të letërsisë realiste europiane. Ai nuk shkroi për të kënaqur, por për të zbuluar të vërtetën e brendshme të qenies njerëzore – qoftë ajo e dhimbshme, mizore apo tragjikisht qesharake.
Në varrin e tij në Paris, gdhendet një fjali që përmbledh thelbin e jetës së tij:
“Desha gjithçka dhe mora kënaqësinë e asgjëje.”
