Katër vite më parë Grida Duma dorëzoi mandatin e për të marrë detyrën e moderatores së emisionit kryesor politik në Top Channel, “Top Story”. Por si e mori këtë vendim? Si erdhi propozimi dhe pse hoqi dorë nga politika?
E ftuar në UET Cast, podcast-in e Universitetit Europian të Tiranës, në një bisedë me Prof. Dr. Belina Budini, Duma ka rrëfyer detajet e kësaj vendimmarrjeje që ndryshoi jetën dhe karrierën e saj, duke u shndërruar nga një personalitet të politikës dhe politikbërjes në Shqipëri, në një figurë të spikatur të medias.
“Për mua në ato çaste humbi plotësisht të bërit politikë, në një grupim politik i cili kishte humbur kohezionin, shumësinë dhe qartësinë e vet. Kanë qenë zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, dhe kam pasur një protagonist të PD-së në emision, i cili më tha: “Si ta bënim PD-në? Ti ike, disa të tjerë ikën”.
Iu përgjigja: “Sepse ju u çmendët”(qesh).
“Nga pikëpamja politike dhe logjike, për mua, Partia Demokratike linte shumë për të dëshiruar, sa i përket arsyes pse po bëhej politikë. Fragmentarizimi i saj, mungesa e mirëkuptimit brenda vetes, mungesa e kohezionit dhe bërjes bashkë për gjëra që ishin më të mëdha sesa të voglat që na ndanin, vendosja e gishtit dhe fajtorit brenda vetes pafund, a thua se nuk e dinim që përgjegjësit nuk ishin as anëtarët, as bashkëvepruesit në politikë, por ishte udhëheqësia e Partisë Demokratike, midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, apo mes Sali Berishës dhe vetë Sali Berishës.”
E pyetur nga dekania Budini, nëse kalimi në media ishte një zgjedhje e detyruar, për shkak të situatës brenda partisë ku aderonte, Duma tha se lëvizja e saj erdhi pas propozimit që mori nga drejtuesja e televizionit, Lori Hoxha, ftesë të cilën ajo e quajti një bekim.
“Nuk isha e detyruar. Asgjë nuk është tashmë e detyruar në jetën time. Nuk kam asnjë kondicion, përveç jetës, shëndetit dhe dashurisë për fëmijën tim. Kudo që mund të jem, e di që e nis nga fillimi dhe e di që mund ta ndërtoj një standard jete që më rri mirë. Nuk më duhet shumë për të jetuar mirë dhe besoj që kjo është aftësi apo dhunti e atyre që jetojnë më shumë me mendje sesa me trup. Erdhi në kohën e duhur. Ishte një propozim i cili më la pa frymë për momentin. CEO i TOP Channel, ishte duke rikonceptuar mënyrën sesi do ta drejtonte televizionin, bashkë me aksionerët e tjerë. Kur e dëgjova propozimin shtanga në një farë mënyre. Por besoj se ishte e dhënë, një shenjë. Erdhi në momentin e duhur.”
Moderatorja dhe autorja e “Top Story” tregoi në UET Cast dyshimet e saj të fillimit, teksa theksoi se vendimi për të qëndruar përfundimisht në sektorin e medias, ishte zgjedhja e duhur.
“Nuk mendova se do ta bëja në çastin e parë. Mendova se mund të tentoja të hyja edhe në media dhe ta mbaja pozicionin politik. Mendoj se njeriu në jetë duhet të ketë këllqe dhe guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se bëra zgjedhjen e duhur nëse shohim sesi janë sot të gjitha ata që marrin pjesë në estabilishmentin politik aktual”, shtoi Duma./ad
