Seanca ku kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritej të dëshmonte në gjyqin ndaj Fabrizio Coronës në Milano është shtyrë për 25 janar. Meloni është palë civile në procesin për shpifje ndaj ish-agjentit fotografik dhe gazetarit Luca Arnau.
Dëshmia e kryeministres ishte parashikuar të zhvillohej gjatë seancës së sotme, por gjyqtarja e seksionit të tetë penal, Nicoletta Marchegiani, u detyrua të caktonte një tjetër datë për shkak të abstinimit të avokatëve penalistë, aksion të cilit i është bashkuar edhe mbrojtja e Coronës, e përfaqësuar nga avokati Ivano Chiesa.
Në muajt e fundit, Meloni kishte anuluar për shkak të angazhimeve institucionale një dëshmi të planifikuar në Palazzo Chigi. Më pas, përmes avokates së saj Giulia Bongiorno, ajo kishte shprehur gatishmërinë për të shkuar në gjykatën e Milanos për të dëshmuar.
Fabrizio Corona dhe gazetari Luca Arnau po gjykohen për një artikull të publikuar në tetor 2023 në faqen Dillingernews.it, ku kryeministres italiane i atribuohej një lidhje e pretenduar me ish-deputetin e Fratelli d’Italia, Manlio Messina. Edhe Messina është palë civile në këtë proces, i përfaqësuar nga avokati Mattia Serpotta.
Gjatë seancës së sotme, avokatët e Melonit njoftuan gjykatën se, për shkak të angazhimeve institucionale, kryeministrja nuk do të mund të dëshmojë deri në dhjetor, madje as gjatë ditëve të shtuna. Për këtë arsye është anuluar edhe data e mëparshme, 14 dhjetor.
Dëshmia është riplanifikuar për 25 janar, datë kur në sallën e gjyqit do të paraqitet edhe Fabrizio Corona për t’iu nënshtruar marrjes në pyetje si i pandehur. Gjykata ka caktuar gjithashtu 22 shkurtin për diskutimet përfundimtare të palëve./et
