Politologu Nexhmedin Spahiu theksoi se duhet pranuar realiteti aktual se Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe se brenda shoqërisë kosovare ekzistojnë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e shtetit.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, të moderuar nga Andrea Danglli në A2 CNN., Spahiu u shpreh se në Kosovë ka njerëz që e duan shtetin e tyre dhe besojnë se ai mund të ecë paralelisht me Shqipërinë, pa e parë të domosdoshëm bashkimin kombëtar.
Duke sjellë një histori familjare, Spahiu kujtoi sakrificën e gjyshit të tij gjatë luftës në vitin 1943.
“Gjyshi im është plagosur për flamurin kuq e zi, mbi kodrat e Novi Pazarit, duke mbrojtur kufirin e sipërm të Shqipërisë në vitin 1943. Është plagosur, ka vrapuar në zjarr të hapur, e ka kapur flamurin që të mos bjerë në tokë. Në atë kohë Kosova ishte e lumtur që të ishte pjesë e Shqipërisë, tani nuk është”, u shpreh ai.
Sipas Spahiut, sot në Kosovë ka individë që do të dëshironin bashkimin me Shqipërinë, por edhe të tjerë që mbështesin forcimin e shtetit të Kosovës dhe një rrugëtim paralel me Shqipërinë.
“Ky është një realitet. Në Kosovë ka të tillë që do dëshironin që Kosova të mos ekzistonte si shtet, të ishte pjesë e Shqipërisë. Dhe ka të tillë që e duan shtetin e Kosovës dhe që mendojnë që Shqipëria dhe Kosova mund të ecin paralelisht”, deklaroi Spahiu./A.D
