Last Updated on 30/06/2026 by Anisa
Google ka kërkuar miratimin e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) për të lëshuar 32 milionë mushkonja meshkuj sterile të speciet Aedes aegypti në Kaliforni dhe Florida gjatë dy viteve të ardhshme. Synimi është të reduktohet ndjeshëm popullata e kësaj mushkonje, e cila transmeton sëmundje të rrezikshme si dengue, malaria dhe virusi Zika.
Plani bazohet në një metodë biologjike që është testuar edhe më parë. Mushkonjat meshkuj, të cilat nuk pickojnë njerëzit dhe nuk transmetojnë sëmundje, infektohen me bakterin natyror Wolbachia. Kur ato çiftëzohen me femrat e egra, vezët nuk zhvillohen dhe nuk çelin. Si pasojë, numri i mushkonjave bie brez pas brezi deri në rënien drastike të popullatës.
Kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët provojnë një zgjidhje të tillë. Në vitin 2021, kompania britanike Oxitec, e mbështetur nga Fondacioni Bill & Melinda Gates, nisi një projekt me qindra miliona mushkonja të modifikuara gjenetikisht për të luftuar përhapjen e sëmundjeve. Ndryshe nga ajo qasje, projekti i Google mbështetet te përdorimi i bakterit Wolbachia, pa modifikim gjenetik të insekteve.
Metoda njihet si Sterile Insect Technique (SIT) ose “Teknika e Insektit Steril”. Ajo u zhvillua në vitet 1950 dhe është përdorur me sukses për të kontrolluar dëmtues të ndryshëm bujqësorë, si miza mesdhetare e frutave në Kaliforni dhe krimbi i mishit në Shtetet e Bashkuara.
Edhe në luftën kundër mushkonjave kjo teknikë ka dhënë rezultate premtuese. Në vitin 2018, në Havanë të Kubës, lëshimi i 1,27 milionë mushkonjave meshkuj sterile të Aedes aegypti uli në zero numrin e vezëve të gjetura në kurthet e monitorimit. Ndërsa në Kinë, gjatë viteve 2016-2017, testet arritën pothuajse të eliminonin mushkonjën tigër (Aedes albopictus) në zonën ku u zhvillua eksperimenti.
Megjithatë, përdorimi i kësaj teknologjie në shkallë të gjerë mbetet sfidues. Mushkonjat e rritura në laborator shpesh janë më pak konkurruese gjatë çiftëzimit sesa ato të egra, gjë që mund të ulë efektivitetin e metodës.
Nëse EPA jep miratimin, projekti i Google do të jetë një nga eksperimentet më të mëdha të këtij lloji dhe mund të ndihmojë në vlerësimin nëse kjo strategji mund të shndërrohet në një armë të rëndësishme kundër sëmundjeve që çdo vit shkaktojnë mbi një milion viktima në mbarë botën.
