Last Updated on 25/08/2025 by adminfjala
Katër shqiptarë kanë rënë në pranga të policisë greke të dyshuar si autorë të një sërë vjedhjesh në zona të ndryshme turistike. Autorët kishin si synim grabitjen e hoteleve luksoze e shtëpive të marra me qira nga turistë kryesisht në zonat Elias, Halarës, Agrari, Linos, Paraga dhe Skalados.
Gjatë periudhës 6 gusht e deri më datë 20 ata dyshohet të kenë kryer 10 vjedhje me thyerjve si dhe 3 tentativa të tjera të dështuara. Sipas policisë, vlera totale e sendeve të grabitura arrinte në rreth 138,000 euro.
Hajdutët përdornin furgonë të marrë me qira dhe hynin në ambientet që synonin duke thyer dritare ose dyer ballkoni. Aty grabisnin para, bizhuteri, veshje dhe këpucë firmato, orë, dhe sende të tjera me vlerë. Një pjesë e mallrave të vjedhura ishin fshehur në çarje shkëmbinjsh për t’u ruajtur përkohësisht. Policia ka sekuestruar:
3,395 euro, si dhe shuma në dollarë amerikanë dhe franga zvicerane
Ora dhe vathë të markave të njohura
Rrobat dhe dorezat që kishin përdorur gjatë grabitjeve
Katër telefona celularë
Veshje e aksesorë firmato
Katër shqiptarët do të dalin nesër përpara gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e peronave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal. m.p.
