Synimet e Trumpit ndaj Grenlandës risjellin në kujtesë ëndrrat e pushtimit – të realizuara më pas me para ose me armë – të disa prej paraardhësve të tij. Rast pas rasti: nga Luiziana te Alaska.
Donald Trump, në krye të Shteteve të Bashkuara që nga 20 janari 2025 (pasi kishte qenë tashmë në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri më 2021), ka ndezur sërish zjarrin e polemikave ndërkombëtare me ambiciet e tij “imperiale”. Pasi shprehu dëshirën që Kanadaja të bëhej vullnetarisht ylli i 51-të në flamurin amerikan, Trump tani po synon aneksimin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, duke lënë të kuptohet edhe përdorimi i mjeteve të forta.
Në këto deklarata ekspansioniste, ai frymëzohet nga presidentë të tjerë imperialistë, të cilët kanë hyrë në histori për përvetësime të mëdha territoriale, të realizuara – me marrëveshje ose, më shpesh, me forcë – mes viteve 1803 dhe 1898.
Luiziana: Jeffersoni “ia hedh” Napoleonit
Është ironike të mendosh për përpjekjet e përgjakshme të Napoleon Bonapartit për të ndërtuar një perandori të madhe evropiane, kur ndalemi te ajo që ndodhi në vitin 1803. Pa para, pas dhjetë vitesh luftërash dhe me rifillimin e konfliktit kundër Anglisë në horizont, Bonaparti nuk hezitoi t’u shiste Shteteve të Bashkuara të sapolindura një territor prej mbi 2,1 milionë km², përgjatë pellgut të madh të lumit Misisipi, nga gryka e tij deri në kufirin kanadez.
Një perandori me potencial të jashtëzakonshëm – që mund të zhvillohej dhe mbrohej me shumë më pak burime sesa ato të shpenzuara në Evropë – u (ri)shit për të financuar një perandori shumë më jetëshkurtër, e cila do të shembej 12 vjet më vonë në Vaterlo.
Se Blerja e Luizianës, e shpallur më 4 korrik 1803, ishte një marrëveshje e mirë për Francën, kjo është shumë e diskutueshme. Është e vërtetë që 15 milionë dollarët (rreth 80 milionë franga) i shërbyen përpjekjes ushtarake franceze. “Paraja bën luftën”, thotë një shprehje franceze; dhe pa ato dollarë “të gjelbër”, perandori nuk do të kishte vënë në lëvizje Armatën e Madhe, as do të kishte arritur fitoret spektakolare të Ulmës dhe Austerlicës në vitin 1805. Por… me çfarë çmimi?
Përgjatë Misisipit
Edhe pse në vitin 1803 territori i shitur ishte i banuar nga vetëm disa mijëra francezë, mjafton të shihen emrat e shteteve që u krijuan më pas për të kuptuar se kush fitoi realisht: republika e re amerikane dhe presidenti i saj i tretë, Thomas Jefferson.
Të lidhura nga “babai i lumenjve” dhe degët e tij, lindën realitete si Luiziana me qytetin shkëlqyes të Nju Orlinsit; Arkansas me blegtorinë e tij; Oklahoma me rezervat e ardhshme të naftës dhe gazit. Pastaj një varg rajonesh bujqësore dhe minerare: Missouri, Kansas, Iowa, Nebraska, dy Dakotat, Wyoming, Minesota e mbuluar nga dëbora, e kolonizuar nga emigrantë suedezë, Kolorado dhe Montana.
Ky ishte zemra e burimeve ushqimore dhe natyrore të Amerikës, e zgjeruar më tej me ekspedita drejt Perëndimit, përmes luftërave kundër popullsive autoktone dhe duke ia rrëmbyer Floridën Spanjës.
Meksika dhe Kalifornia: Polk dhe “fati i paracaktuar”
Rënia e perandorive koloniale iberike hapi perspektiva të reja në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Me shpalljen e Doktrinës Monroe në vitin 1823, SHBA-të nisën të shtyhen fuqishëm në Amerikën Latine. Në shënjestër përfundoi sidomos Meksika, trashëgimtare e mëkëmbësisë së gjerë të Spanjës së Re, por e dobët dhe e përçarë.
Fillimisht interesat amerikane kufizoheshin në tregti me portet kaliforniane dhe në vendosjen e rreth 300 familjeve kolonësh në Teksas, me pëlqimin e qeverisë meksikane. Por në 1836, Teksasi u shkëput pas një konflikti të shkurtër, i njohur për rrethimin e Fort Alamos.
Në ato vite, gazetari John O’Sullivan formuloi doktrinën e “Destinit Manifest”, sipas së cilës zgjerimi i SHBA-ve ishte një mision i caktuar nga Providenca.
Vjen Kalifornia
Në vitin 1844, president u zgjodh James Polk, përfaqësues i elitës jugore skllavopronare. Ai bëri të vetat objektivat e Destinit Manifest: Oregonin, Teksasin dhe territoret veriperëndimore të Meksikës. Me Britaninë veproi diplomatikisht, por me Meksikën jo.
Më 25 prill 1846, një përleshje kufitare u shfrytëzua si pretekst për luftë. Polk deklaroi se “gjak amerikan ishte derdhur në tokë amerikane”, duke e çuar vendin në një konflikt të përgjakshëm që përfundoi me pushtimin e Qytetit të Meksikos në 1847 dhe me Traktatin e Guadalupe Hidalgo më 1848.
Shtetet e Bashkuara morën Kaliforninë, Nevadën, Utahun, pjesë të Kolorados, Nju Meksikon dhe Arizonën – një perandori e vërtetë kontinentale.
Karaibet dhe Filipinet: McKinley dhe perandoria përtej detit
Nga mesi i shekullit XIX, ambiciet amerikane u shtrinë edhe në dete. Me Guano Island Act (1856), SHBA-të pretenduan dhjetëra ishuj. Në 1867, blenë Alaskën nga Rusia për 7,2 milionë dollarë.
Por në 1898, armët folën sërish. Preteksti ishte fundosja e anijes USS Maine në portin e Havanës, ku humbën jetën 261 marinarë. Edhe pse shkaqet ishin të paqarta, u fajësua Spanja dhe shpërtheu lufta.
Rezultati: Kuba formalisht e pavarur, por nën ndikim amerikan; Porto Riko i aneksuar; Panamaja e shkëputur nga Kolumbia për ndërtimin e kanalit; dhe zgjerimi drejt Paqësorit.
Filipinet dhe Hawaii
Në Paqësor, SHBA-të mbështetën grushtin e shtetit në Hawaii (1893) dhe, pas luftës hispano-amerikane, pushtuan Filipinet. Lufta guerile vazhdoi deri më 1913, me mizori që parathoshin Vietnamin e viteve ’60.
Viti 1898 shënon për Shtetet e Bashkuara lindjen e perandorisë, pas një shekulli zgjerimesh territoriale të jashtëzakonshme.
Burimi: focus.it/ Nga Giuliano Da Frè/ Përgatiti për botim: L.Veizi
