Greqia dhe Izraeli do të bashkëpunojnë në fushën e sistemëve anti-dronë dhe sigurisë kibernetike, deklaroi të martën ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, pas një takimi me homologun izraelit, Israel Katz, në Athinë.
Dendias tha se të dy vendet ranë dakord të shkëmbejnë ekspertizë dhe njohuri për të trajtuar dronët, veçanërisht tufat e mjeteve të pakontrolluara ajrore dhe grupet e mjeteve nënujore pa ekuipazh.
“Ranë dakord të shkëmbejmë përvoja dhe njohuri për të trajtuar dronët dhe veçanërisht tufat e mjeteve të pakontrolluara ajrore dhe grupet e mjeteve nënujore pa ekuipazh, si dhe të punojmë së bashku për të qenë gati ndaj kërcënimeve në hapësirën kibernetike.”
Ministri grek gjithashtu theksoi rëndësinë e inovacionit në industrinë e mbrojtjes. Bazuar në modelin izraelit, Greqia ka krijuar Qendrën Greke për Inovacionin në Mbrojtje, me synimin që vendi të kalojë nga konsumatori dhe blerësi i sistemeve të mbrojtjes në bashkëprodhues dhe prodhues të produkteve inovative, me kosto relativisht të ulët dhe përdorim të dyfishtë.
“Studijuam modelin izraelit dhe bazuar mbi të krijuam Qendrën Greke për Inovacionin në Mbrojtje. Qëllimi ynë është që Greqia të kalojë nga blerësi në bashkëprodhues dhe prodhues të produkteve inovative.”
Dendias theksoi gjithashtu sfidat në rajon, ku shumë praktika destabilizuese dhe sfidime të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit të detit janë të pranishme. Ai nënvizoi se Greqia mbron sovranitetin dhe të drejtat e saj pa pretendime të tepruara, duke zbatuar Axhendën 2030 për të krijuar forcat më të fuqishme të armatosura që nga themelimi i shtetit modern grek.
“Shumë gjëra në rajonin tonë udhëhiqen nga praktika destabilizuese, nga sfidimi i së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit të detit. Greqia mbron sovranitetin dhe të drejtat e saj pa hequr dorë nga asgjë, por për të arritur këtë parandalim, po zbatojmë Axhendën 2030, që krijon forcat më të forta të armatosura që nga themelimi i shtetit grek.”
Greqia dhe Izraeli kanë lidhje të forta ekonomike dhe diplomatike, duke operuar një qendër trajnimi ajror në territorin grek dhe duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake në vitet e fundit. Vitin e kaluar, Greqia miratoi blerjen e 36 sistemeve izraelite të artilerisë raketore PULS, me vlerë rreth 650 milion euro, dhe po negocion zhvillimin e një sistemi anti-ajror dhe anti-balistik shumë-shtresor kundër dronëve dhe kërcënimeve ajrore, me kosto të parashikuar rreth 3 miliard euro./mxh
