Greqia nuk do të përfshihet në operacione ushtarake në Ngushticën e Hormuzit. Këtë e bëri të ditur të hënën zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, Athina do të vazhdojë të marrë pjesë vetëm në misionin detar të Bashkimit Evropian “Aspides”, i cili ka për qëllim mbrojtjen e anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Deklarata e qeverisë greke vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se administrata e tij po zhvillon bisedime me shtatë vende për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, kjo po bëhet në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Trump u bëri thirrje vendeve që varen nga nafta e Gjirit Persik të kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj rruge të rëndësishme detare, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë.
Ndërkohë, konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tretë, duke shkaktuar tensione në rajon dhe luhatje në tregjet ndërkombëtare të energjisë./mxh
