Deri verën e kaluar, kërcënimi kryesor për brigjet e ishullit grek të Eubesë ishin kandilët e detit ngjyrë vjollcë, shkruan repubblica.it.
Këtë vit, megjithatë, nën ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes së ujërave të Detit Egje, rreziku për pushuesit në ishullin e dytë më të madh të Greqisë pas Kretës vjen nga peshku top me njolla (Lagocephalus sceleratus), i cili ka mbërritur nga Deti i Kuq përmes Kanalit të Suezit.
Bëhet fjalë për një përhapje masive të këtij peshku, i cili tashmë ka kolonizuar ujërat pranë Izraelit dhe Qipros, ndërsa tani gjendet pothuajse në të gjitha ujërat e Greqisë, deri pranë brigjeve të Athinës.
Ai është veçanërisht i rrezikshëm, sepse mishi i tij është shumë toksik për konsum edhe pas gatimit, por sidomos për shkak të nofullave tepër të fuqishme, të afta të thyejnë metal dhe kocka.
Për këtë arsye, bashkia e Eubesë ka vendosur të instalojë barriera lundruese mbrojtëse për të mbrojtur pushuesit.
Vendimi u mor pas disa sulmeve të regjistruara në Greqi, veçanërisht në Varkiza, në rajonin e Atikës, ku një grua e moshuar u kafshua dhe iu desh të trajtohej me qepje kirurgjikale.
Ndër masat e marra për të përballuar situatën, Kryqi i Kuq Grek publikoi një udhëzues të ndihmës së parë në rast kafshimi.
Rreziku më i madh janë plagët me hemorragji, të cilat duhet të ndalen menjëherë duke ushtruar presion mbi zonën e dëmtuar me garza, pasi plaga të jetë larë mirë me ujë të ëmbël.
Në disa raste mund të jetë i nevojshëm edhe vaksinimi ose trajtimi kundër tetanozit.
“Detyra jonë dhe përparësia jonë absolute duhet të jetë siguria e qytetarëve tanë. Më mirë të parandalosh sesa të kurosh”, deklaroi për gazetën britanike The Guardian Antonis Spanos, nënkryetar i bashkisë së Kalkidës, i cili muajin e kaluar organizoi vendosjen e barrierës së parë lundruese në Greqi.
Kjo masë po adoptohet tani edhe nga shumë zona të tjera bregdetare të vendit.
Përveç rrezikut për njerëzit, pushtimi i këtij grabitqari helmues kërcënon edhe sektorin grek të peshkimit.
Për këtë arsye, qeveria në Athinë ka vendosur të japë subvencione për peshkatarët, në mënyrë që ata të kryejnë operacione të posaçme për të ulur numrin e këtyre peshqve, të cilët me kafshimet e tyre mund të dëmtojnë rëndë edhe rrjetat e peshkimit.
Sipas Qendrës Helene për Kërkime Detare, peshku top u shkakton çdo vit çdo anijeje peshkimi në rajon dëme dhe humbje të ardhurash që arrijnë mesatarisht në 8.500 euro./mxh
