Qeveria e Groenlandës ka thënë se “nuk mund ta pranojë në asnjë rrethanë” dëshirën e Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se organizata po punonte për të forcuar sigurinë në Arktik.
Presidenti amerikan ka tronditur BE-në dhe NATO-n duke refuzuar të përjashtojë forcën ushtarake për të pushtuar Groenlandën, e cila mbulohet nga shumë prej mbrojtjeve të tyre, pasi Danimarka u përket të dyjave.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, do të takohen me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Uashington të mërkurën.
Danimarka, e cila ka theksuar se një traktat i vitit 1951 tashmë i lejon SHBA-së të zgjerojë ndjeshëm praninë e saj ushtarake në territor, ka thënë vazhdimisht se Groenlanda nuk është në dispozicion dhe shpreson të gjendet një zgjidhje diplomatike.
Qeveria e Groenlandës tha të hënën se ishulli ishte “pjesë e mbretërisë së Danimarkës” dhe “si pjesë e komonuelthit danez, anëtar i NATO-s”. Ajo tha se do të shtonte përpjekjet e saj për të siguruar që mbrojtja e saj të zhvillohej “në kuadrin e NATO-s”.
Deklarata shtoi se koalicioni qeverisës i territorit “beson se Groenlanda do të jetë përgjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes” dhe se “të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-në, kanë një interes të përbashkët” në mbrojtjen e ishullit.
Trump ka thënë se SHBA-të duhet të kontrollojnë Groenlandën për të rritur sigurinë në Arktik përballë një kërcënimi të supozuar nga Kina dhe Rusia. Rutte tha të hënën se NATO po “punonte për hapat e ardhshëm për t’u siguruar që ne të mbrojmë kolektivisht atë që është në rrezik”./CNA, përkthyer nga The Guardian/kb
