Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) ka kritikuar ashpër guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, pasi ai kundërshtoi stacionet e posaçme për marrjen e abdesit në dy aeroporte të shtetit.
Abdesi, është larja e disa pjesëve të trupit që myslimanët e bëjnë para faljes. Për këtë arsye, në disa aeroporte në mbarë botën ka ambiente me lavamanë dhe rubinete, ku udhëtarët mund të lajnë edhe këmbët.
Debati në Teksas shpërtheu pasi Aeroporti Ndërkombëtar Dallas-Fort Uorth (DFU) njoftoi se nuk do të vazhdonte me planin për ndërtimin e stacioneve të abdesit. Vendimi erdhi pasi guvernatori Abbott kërcënoi se mund t’i hiqte aeroportit fondet shtetërore.
Abbott kishte kërkuar një rishikim të DFU dhe të Aeroportit Ndërkombëtar George Bush në Hjuston, i cili tashmë ka stacione për abdesin. Ai kërkoi që të shqyrtohej mundësia e heqjes së fondeve shtetërore dhe i referoi aeroportet edhe te autoritetet federale për hetim. Guvernatori argumentoi se këto ambiente mund të krijojnë trajtim të veçantë për një grup të caktuar fetar. Sipas tij, aeroportet janë institucione publike dhe qeveria nuk duhet të favorizojë një fe mbi fetë e tjera.
Por CAIR e kundërshtoi këtë qëndrim. Organizata tha se stacionet e abdesit nuk janë vetëm për myslimanët dhe se çdo person mund t’i përdorë. Sipas saj, fakti që myslimanët mund t’i përdorin më shpesh nuk do të thotë se qeveria po favorizon Islamin.
CAIR e quajti reagimin e Abbott një “qëndrim politik anti-mysliman” dhe tha se guvernatori po krijon polemika të panevojshme rreth komunitetit mysliman. Organizata solli si shembull edhe ambiente të tjera që gjenden në aeroporte, si dhomat e lutjeve dhe pajisje të ndryshme higjienike, të cilat janë të disponueshme për të gjithë udhëtarët.
CAIR kritikoi gjithashtu Abbott për qëndrimet e tij ndaj fesë në institucionet publike. Organizata përmendi ligjin e Teksasit që kërkon vendosjen e Dhjetë Urdhëresave në klasat e shkollave publike. Po ashtu, Bordi Shtetëror i Arsimit në Teksas ka miratuar mësimin e historive biblike në shkollat publike. Sipas CAIR, guvernatori duhet të merret me problemet kryesore të Teksasit, në vend që të fokusohet te stacionet e abdesit në aeroporte.
Përplasja mes Abbott dhe CAIR ka nisur prej kohësh. Vitin e kaluar, guvernatori e shpalli CAIR-in një “organizatë terroriste të huaj”, vendim që organizata e ka kundërshtuar në gjykatë. Debati për stacionet e abdesit vjen në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara janë shtuar përplasjet politike dhe deklaratat kundër myslimanëve. Kjo ka shkaktuar shqetësim te organizatat që mbrojnë të drejtat civile dhe lirinë fetare.
Çështja e aeroporteve në Teksas ka rikthyer debatin mbi mënyrën sesi institucionet publike duhet të respektojnë nevojat fetare të qytetarëve, pa favorizuar apo diskriminuar asnjë komunitet./mxh
