Last Updated on 28/03/2026 by Anisa
Në një kohë kur “scroll”-i i pafund është kthyer në rutinë për miliona njerëz, CEO i Apple, Tim Cook, vjen me një apel ndryshe: më pak kohë në telefon dhe më shumë në jetën reale.
Cook pranon se përdorimi i tepërt i smartphone-ve po na largon nga momentet e rëndësishme, duke theksuar se nuk dëshiron që njerëzit të kalojnë më shumë kohë duke parë ekranin sesa duke parë njëri-tjetrin në sy. Sipas tij, është e lehtë të biesh në kurthin e “scroll”-it pa fund, ndërsa dita kalon pa e kuptuar. “Kjo nuk është mënyra si dëshiron të kalosh ditën tënde. Dil jashtë dhe shijoje natyrën,” u shpreh ai.
Megjithatë, ndërsa mesazhi i tij bën thirrje për një shkëputje nga teknologjia, shifrat tregojnë fuqinë e jashtëzakonshme të industrisë që ai drejton. Gjatë vitit 2024, Cook përfitoi një pagë totale prej rreth 74.6 milionë dollarësh, duke përfshirë bonuset dhe kompensimet, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, Apple raportoi të ardhura prej afro 295 miliardë dollarësh, ndonëse me një rënie të lehtë nga 2023. Edhe fitimet neto shënuan një ulje, duke zbritur në rreth 93.7 miliardë dollarë. Pavarësisht kësaj, kompania vijon të mbetet një nga më të fuqishmet në botë, me shitjet e iPhone që shënuan një rritje të lehtë dhe aksionet që u rritën ndjeshëm gjatë vitit.
Mesazhi i Cook vjen si një reflektim mbi balancën mes teknologjisë dhe jetës reale, duke ngritur një pyetje që prek të gjithë: a po e përdorim teknologjinë, apo është ajo që po na përdor ne?
